Ministria e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit

Përgatitjet për Festivalin Folklorik Kombëtar të Gjirokastrës kanë hyrë në një fazë të re dhe në të 12 qarqet e vendit, pas ekspeditave dhe hulumtimeve në terren, janë përcaktuar datat e organizimit të koncerteve folklorike zonale në nivel komune, bashkie dhe rrethi sipas zonave etnografike. Grupet e specialistëve të trashëgimisë kulturore të Ministrisë së Kulturës dhe të Qendrës Kombëtare të Veprimtarive Folklorike kanë organizuar takime me grupet e punës në të gjitha qarqet, kanë bërë vlerësime për ecurinë e fazës së parë të përgatitjeve dhe kanë dhënë orientime për përmbylljen e fazës së dytë që lidhet me përzgjedhjen e grupeve dhe pjesëve folklorike më të mira. Faza e parë përgatitore ka gjetur vlerësimin maksimal nga administrata e qarqeve, qendrat kulturore të komunave dhe bashkive, grupet folklorike dhe shoqatat kulturore. Gjatë kësaj faze, krahas ngritjes së grupeve të punës në strukturat e qeverisjes vendore, komunë, bashki dhe qark me specialistë të trashëgimisë kulturore, folkloristë dhe etnomuzikologë, janë bërë ekspedita përzgjedhëse të repertorit të mundshëm muzikor, poetik, koreografik dhe ritualeve dhe në shumë zona kanë nisur provat dhe koncertet e para selektuese.

Janë përzgjedhur grupet më të mira dhe pas koncerteve prezantuese në shkallë rrethi me grupet më të mira dhe të përzgjedhura do të organizohet një koncert i përbashkët, ku ekspertët do të vazhdojnë përzgjedhjen sipas kritereve shkencore për të përcaktuar përfundimisht grupin e përfaqësimit. Etnokoreografë të Tropojës, gjatë ekspeditave dhe përgatitjheve kanë hulumtuar dhe dokumentuar tri gjetje të rralla rituale dhe muzikore në këtë zonë. Mendohet se ato do të jenë befasia e Festivalit të Gjirokastrës. Për prurje të reja origjinale dhe burimore flasin edhe folkloristë të Qendrës Kulturore të Hasit dhe Qendrës Kulturore të Kukësit, duke dëshmuar për një punë serioze të folkloristëve, interpretuesve dhe bartësve të këngëve, valleve dhe riteve, të kësaj pasurie të pashtershme të trashëguara brez pas brezi. Përgatitje serioze janë bërë edhe në qarqet e tjera të vendit, në Gjirokastër, Vlorë, Berat, Shkodër, etj.{:}