Ministria e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit

[metaslider id=7548]

“Festivali i Librit dhe i artit” quhet ngjarja e madhe kulturore, që do të hapë siparin në datën 23 prill 2014, në Ditën Ndërkombëtare të Librit, në mjediset e Muzeut Kombëtar. Një aktivitet me përmasa të mëdha që përfshin dy fusha tejet të rëndësishme të kulturës: artet pamore dhe botimet shqiptare, i cili do të zgjasë 4 ditë, deri më 27 prill 2014.

Ky aktivitet organizohet nga Shoqëria e Librit Shqip, që nisi të ekzistojë dy vjet më parë, nën drejtimin e të ndjerit e të mirënjohurit Ardian Klosi, me pjesëmarrjen e disa prej botuesve më seriozë shqiptarë: shtëpia botuese “Toena”, Instituti i dialogut dhe Komunikimit, “Skandërbeg Books”, “Omsca”, “Kuteli”, botimet “Dudaj”, “Botart”.

Janë ftuar të gjithë botuesit shqiptarë, të Kosovës e Maqedonisë. Më shumë se 45 botues do të paraqiten në këtë festival me librat e tyre, autorët e promovimet.

Pjesa e arteve pamore, e pagëzuar me emrin artistik “Pamur”, do të kurohet nga profesor Vladimir Myrtezaj. Tema e arteve pamore është “Një galeri, një autor”. Të gjithë korentet artistike në vendin tonë dhe Kosovë do të kenë mundësi të shfaqen në Tiranë. Janë parashikuar gjithashtu disa njolla të tjera artistike në aktivitet që do të gjejnë vend brenda hapësirave ku do të zhvillohet ngjarja, si p.sh grupe muzikore të rinjsh liceistë, apo një festival i poezisë.

Qëllimi kryesor është t’i japim sa më shumë jehonë, duke ftuar të gjithë njerëzit, të të gjitha moshave e gjinive, të vijnë të na vizitojnë në këtë Festival, i pari i këtij lloji në Shqipëri, i cili pritet të jetë i mbushur me aktivitete të shumëllojshme, që nga ato të artit pamor, animime muzikore e deri te forumet për letërsinë, promovime librash, lexime nga aktorë…

Ky festival do të gjenerojë dy çmime:
1.    Autori i vitit do të nderohet me çmimin “Ardian Klosi”
2.    Puna më e mirë në artet pamore do të nderohet me çmimin “Danish Jukniu”

Me mbështetjen e Ministrisë së Kulturës, Galerisë së Arteve Tiranë, Galerisë së Arteve Kosovë , rrjetit TRADUKI si dhe mbështetjen mediatike të Top Channel, do të ofrohet për të gjithë publikun një aktivitet që premton argëtim dhe plot surpriza.

{:}