Ministria e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit

Festivali Mbarëkombëtar i Komedisë ”KoKo Fest” nis në qytetin e Korçës, duke shënuar kështu një event të madh artistik për jetën artistike dhe kulturore, por dhe për të gjithë artistët protagonistë të këtij aktiviteti teatror. Me pjesëmarrjen e 12 trupave teatrore nga Shqipëria, Kosova dhe Maqedonia festivali që nis sonte në mbrëmje në teatrin “Andon Zako Çajupi” do të përfundojë ditët e tij në datën 21 shtator, përmes një ceremonie çmimesh. Ky festival do të sjellë në konkurrim 12 trupa teatrore shqiptare jo vetëm nga Shqipëria, por dhe nga Maqedonia dhe Kosova. Do të jetë një javë e larmishme kulturore e festive në qytet. Një juri profesionistësh do të vlerësojë shfaqjet, regjisorët dhe aktorët, ndërsa të gjitha çmimet e festivalit që pritet të zhvillohet në skenën e teatrit të Korçës do të mbajnë emrin e aktorit të njohur të teatrit dhe humorit Aleko Prodani. Edicioni i parë i festivalit do të ndajë nëntë çmime dhe ato do të mbajnë emrin e aktorit të njohur Aleko Prodani, sipas drejtoreshës Zamira Kita është një nderim që bëhet për të mbajtur gjallë figurën e tij brilante si aktor.   Çmimet e festivalit do të jenë shfaqja më e mirë, regjisori më i mirë, aktori më i mirë, aktorja më e mirë, etj. Shfaqjet që do të konkurrojnë në festival janë të njohura për publikun, ndërkaq që teatri i Korçës do të konkurrojë me një premierë me regji të Ilir Bokshit, “Një kafkë në Konemara” e autorit Martin McDonagh. Kjo vepër që është dhe premiera e parë për teatrin e Korçës vjen nën interpretimin e aktorëve Marin Orhanasi,Ylber Bardhi , Zamira Kita dhe Sotiraq Bratko. Shfaqje të tjera që do të konkurrojnë në festival janë nga teatro të Shkodrës, Fierit, Gjilanit, Tiranës, etj. “Kolonel Zogu”, “Pse nuk rri për mëngjes”, “Mjalti i hidhur”, “Parfumeria”, “Eldorado”, “Nënat dhe bijat”, “Gjymtimi”, “Harroje dashurinë”, etj, janë disa nga veprat që do të jenë në skenë.

14-21 shtator, teatri “Andon Zako Çajupi”, Korçë{:}