Ministria e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit

Tiranë, 11 gusht – Sot në Tiranë u mbajt konferenca për shtyp e festivalit DokuFest, me këtë rast u prezantua programi i plotë i edicionit të 13-të të festivalit, i cili do të mbahet nga data 16-24 gusht në Prizren, Kosovë. Pëveç konferencës, organizatorët e DokuFest do të qëndrojnë sot në Tiranë për shfaqjen e një programi të vogël të filmave nga ky edicion i festivalit. Filmat do të shfaqen sonte në Akademinë e Filmit Marubi në Tiranë, në orën 20:00.

Në konferencë për media ishte prezente Ministrja e Kulturës së Republikës së Shqipërisë, Znj. Mirela Kumbaro, e cila foli për mbështetjen e këtij edicioni të DokuFest nga Ministria e Kulturës së Shqipërisë. Kjo mbështetje është pjesë e marrëveshjes ndërkulturore të qeverisë së Shqipërisë dhe të Kosovës për një kalendar të përbashkët kulturor të dy vendeve.

“Kam kënaqësinë e veçantë që jam sot krah miqve për të hapur së bashku në Tiranë aperitivin e DokuFestit, një ngjarje artistike ndërkombëtare e cila bën pjesë në kalendarin e përbashkët kulturor Shqipëri-Kosovë e cila sot një vit më parë u premtua nga Kryeministri Edi Rama në vizitën e tij në Prizren vitin e kaluar. Ja ku jemi një vit më pas, premtimin e mbajtëm dhe për Ministrinë e Kulturës është nder dhe një eksperiencë shumë e bukur që jemi pjesë e këtij aktiviteti i cili është kthyer në referencë shumë të rëndësishme kulturore të botës së filmit dhe debatit artistik. Mbështetja e DokuFest përputhet plotësisht me politikën e Ministrisë së Kulturës së Shqipërisë për të krijuar një urë komunikimi kulturor pakufi dhe pa barriera dhe ne kemi gjetur tek DokuFesti modelin e shkëlqyer se si mund të ndërthuret arti me edukimin. Bashkëpunimi që Ministria e Kulturës po ndërton  me DokuFestin nuk është thjesht mbështetja e festivalit por do të mbërthejë edhe aktivitete të tjera të shtrira gjatë gjithë vitit.” tha Znj. Mirela Kumbaro, Ministre e Kulturës e Republikës së Shqipërisë.

Drejtori Ekzekutiv i DokuFest, Z. Eroll Bilibani shprehu kënaqësinë për këtë bashkëpunim ndërkulturor. “Është kënaqësi e jashtëzakonshme të jemi sot këtu, për një fillim të bashkëpunimit që besojmë që do të jetë për një kohë shumë të gjatë. Mbështetja që aktiviteteve të DokuFest-it nga Ministria e Kulturës  së Shqipërisë nuk është vetëm për qëllimet e festivalit por do të shtrihet përgjatë vitit. Ne do të përkujdesemi që në nëntor në Tiranë të sjellim edhe një program të vogël të fituesve të disa kategorive të DokuFestit. “ tha Eroll Bilibani.

Ndërsa Veton Nurkollari, Drejtori Artistik i DokuFest,  prezantoi programin e filmave të këtij viti.

Të zgjedhura nga një numër rekord i 2400 aplikimeve, festivali do të prezantojë 237 filma nga 56 vende në 6 programe garuese dhe një numër të programeve speciale të kuruara ndërsa pritet që në festival të jenë mbi 200 mysafirë, përfshirë filmëbërës, producentë dhe emra eminentë të kinematografisë.

Tema e këtij edicioni të DokuFest është NDRYSHIMI dhe kampanja dhe sllogani ‘Ndrysho, mos u mshef’ i bëjnë homazh forcës së heshtur të qytetarëve dhe përpjekjes së qytetarëve të kenë një zë më të fortë për të ardhmen e tyre. Festivali do të hapet me shfaqjen e filmit EVERYDAY REBELLION dhe mbyllet me shfaqjen e 20 FEET FROM STARDOM.

SHBA është shteti në fokus këtë vit dhe do të prezantohet me 30 filma, përfshirë shfaqjen e disa dokumentarëve klasik si Harlan County USA nga Barbara Kopple, Hoop Dreams nga Steve James dhe Hearts and Mindsnga Peter Davis. Një numër i filmëbërësve, producentëve dhe profesionistëve të filmit pritet të jenë të pranishëm në festival, në mesin e tyre kameramani Richard Pierce dhe Lynzee Klingman që është njëri ndër editorët e Hearts and Minds, Christian Frei, regjisor i filmit Sleepless in New York, Marilyn Ness, producent i 1971 dhe E-TEAM si dhe shumë të tjerë, nga rajoni dhe nga jashtë. Festivali do t’i bëjë homazh filmëbërësit austriak Michael Glawogger i cili vdiq në fillim të këtij viti, duke shfaqur tri filmat nga triologjia e tij e Globalizmit. Një shiqim gjithpërfshirës në skenën e filmit eksperimental austriak do të prezantohet përmes programit special Austrian Experiments. Filma për muzikë, teknologji dhe konfliktet e fundit në Lindjen e Mesme, çështjet e mjedisit dhe të drejtat e njeriut janë poashtu pjesë e programit.

DokuPhoto do të hapet më 15 gusht dhe do të sjell fotografin e njohur dhe anëtarin e Agjencionit të Fotografisë VII, Donald Weber, i cili të ekspozojë projektin e tij të fundit ‘Barricade: The EuroMaidan Revolt’ që mbledh portrete të njerëzve që Donald Weber takoi në rrugë si dhe kokteleve Molotov që kanë qenë arma e zgjedhur e protestuesve EuroMaidan në Kiev. Përveç kësaj, Donald Weber do të mbaj një masterklasë për tregimin e storieve dhe ndërtimin e narrativës vizuele përmes fotografisë si dhe do të jetë pjesë e një seance të shqyrtimit të porotfoliove (portfolio  review) drejtuar fotografëve profesional të cilët dëshirojnë të diskutojnë për punën e tyre.

Drejtuesja e Komunikimit, Nita Deda, vahzdoi prezantimin e aktiviteteve shtesë të DokuFest.  Ngjarja katër ditore DOKU:TECH, një iniciativë në bashkëpunim Fondacionit IPKO, Fondacionit SHARE do të sjell një seri e folësve, diskutimeve dhe punëtorive rreth temave të sigurisë digjitale, monitorimit dhe privatësisë, burimit të hapur dhe njohurive të hapura, ndërrmarrësisë sociale dhe tema të tjera të ngjashme. Inxhinierë, shkrimtarë, futurista, inovatorë, aktivista, bashkëthemelues të institucioneve gjigante të internetit, mendimtarë pro dhe kundër internetit, do të vijnë në Prizren ekskluzivisht për këtë ngjarje e cila mbahet nga data 19-22 gusht.

Krahas projeksioneve e koncerteve të muzikës, këtë vit Dokufesti do të vazhdojë traditën si nikoqir i paneleve, master klasave dhe punëtorive të ndryshme. Këto aktivitete, që do të sjellin figura të njohura në fushat e tyre përkatëse, do të trajtojnë llojllojshmëri temash që kanë të bëjnë me filmin dhe përtej. Paneli ‘Ballafaqimi me të kaluarën’ do të sjell panelistë të diskutojnë për  ndërtimin e paqes, tolerancës dhe ballafaqimin me të kaluarën në konflikte shoqërore të zgjatura. Një bisedë mes mes të arkitektëve, planifikuesve urban dhe antropologëve në lidhje me hapësirën publike dhe memorien kolektive të të jetuarit në qytet do të përbëj panelin ‘Qytetet Komplekse’. Ndërsa në panelin ‘Pesë vjet më pak’ do të diskutohet  mbi jetëgjatësinë mesatare në Kosovë, në veçanti mbi faktin se kosovarët jetojnë pesë vjet më pak se kombet e tjera në rajon për shkak të ndotjes me qymyr.

Regjisori i nominuar për Oskar Christian Frei dhe Drejtori i Fotografisë i nominuar për Çmimin  Emmy Peter Indergand do të jenë pjesë e një master klase dhe të flasin për bashkëpunimin e tyre në krijimin e filmave WAR PHOTOGRAPHER, SPACE TOURISTS dhe SLEEPLESS IN NEW YORK.  Regjisorja e filmit “My Name is Salt” Farida Pacha dhe producenti dhe kameramani Lutz Konermann do të jenë pjesë e një master-klase tjetër në lidhje me apektet teknike, formale dhe ato të produksionit të filmit siç janë financimi me kampanjë ‘crowd-funding’. Me anë të një bashkëpunimi me Galerinë Kombëtare të Kosovës dhe si pjesë e edicionit të dhjetë të Ekspozitës Ndërkomëtare Muslim Mulliqi – SI E RËNË NGA QIELLI një sens i mendësisë publike do të shfaqen tri filma të jashtëzakonshëm të filmëbërësit Iranian Parviz Kimiavi të cilat do të diskutohen nga kuratorja Corinne Diserens dhe Catherine David – Zëvendësdrejtoresha e Qendrës Pompidou në Paris.

Punëtoria e filmit ‘Common Ground’ do të mbledhë shkrimtarë, kritikë, blogerë, gazetarë dhe filmëbërës të interesuar në kritikë të filmit dhe t’i prezantojë ata me praktikën e kritikës së filmit. Pjesëmarrësit e programit të DokuFest Stories We Tell do të jenë pjesë një punëtorie 3-ditore me kameramanin e naajohur dhe regjisorin Richard Pearce (Hearts and Minds, The Road to Memphis, Woodstock) për tregimin e storieve me kamerë.  Ndërsa Kino Prizreni do mbeldh filmëbërësit nga e gjithë bota do të takohen në Prizren për të shkruar, xhiruar, edituar filmat e tyre me një buxhet jo-ekzistues dhe me pajisje dhe ekpertizë të përbashkët. Punëtoria BDC Discoveries 2014 nga Balkan Documentary Center do të dokusohet në bashkimin e profesionistëve me projekte dokumentare që kanë potencial ndërkombëtar.

DokuKids festivali i fëminjëve sivjet mbush 8 vjeç dhe do të sjell tri punëtori të cilat targetojnë grupmosha të ndryshme të femijëve. Me anë të punëtorisë ‘Rabbitland 2’ ata do të mësohen të krijojnë film stop-motion duke krijuar vetë personazhet e tyre të filmit. Punëtoria ‘Eksplorimi i ujit’ do t’i mësojë pjesëmarrësit e rinj të eksplorojnë temën e ujit nëpërmjet aktiviteteve kreative dhe interaktive të cilat kombinojnë argëtimin, shkencën dhe artin. Në fund, me anë të punëtorisë ‘Teatri live’, fëmijët do të mësojnë të tregojnë histori nëpërmjet vallëzimit dhe lëvizjeve fizike. Rezultati përfundimtar do të jetë një performancë e bukur në sheshin e Shatërvanit, që do të kombinojë vallëzimin, muzikën dhe poezinë.

Program i koncerteve të muzikës DokuNights do të sjellë për herë të parë Retrovizoren me Elina Dunin me muzikën që e inspiroi një gjeneratë të tërë.  Album i ri i Shpat Dedës, Shkendijë, do të promovohet për herë të parë në DokuNights ndërsa ceremonia e mbylljes sdo të sjellë bendin Fanfara Tirana me jo më pak se 14 muzikantë që performojnë dhe vallëzojnë të gjithë bashkë me muzikën e tyre tradicionale shqiptare përzier me ritme të tjera ballkanike. Muzikantë tjerë që do të performojnë te skena e Andrrës të DokuNights janë: Molly Nilsson dhe Man Machine, dBridge, Hypertech, Labinot Sponca, Agnes, Angry Youth, Liquorish Dubz, Zhaba, Grim Limbo, Panda dhe Legoff, Britta Arnold, Elliver, Jehonë, The John, Pinkmetal, Snezhinka, Mirëlinda, Lleo, Ewox and Tamarinsky, Viga.

Nita Deda, Marrëdhëniet me Publikun – DokuFest
media@dokufest.com
nita@dokufest.com
TEL: + 381 29 233 718 | Mobil:  +377 44 234 320

dokufest.com
info@dokufest.com
hospitality@dokufest.com
facebook.com/dokufestprizren
twitter.com/dokufest
instagram.com/dokufest
festival hashtags: #dokufest2014   #changeityourself
VIDEO: http://www.youtube.com/watch?v=A-hIE6tx3Tc&feature=youtu.be
{:}