Ministria e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit

Posteri Bota

Filmi BOTA, me regji dhe skenar të Iris Elezi dhe Thomas Logoreci do të ketë premierën botërore në festivalin prestigjioz të Karlovy Vary-t që zhvillohet në Çeki, në datat 4 – 12 Korrik 2014, ku BOTA prezantohet në garën “East of the West”.

BOTA, produksion i Era Film, është filmi i bashkëfinancuar nga QKK Shqipëri, MIBAC (Ministria e Kulturës Italiane), me mbështetjen e vyer të – EURIMAGES. Gjithashtu ky produksion është i pari film shqiptar i realizuar me bashkëfinancimin e Qendrës Kinematografike të Kosovës!

Artistët pjesëmarrës në film janë: Flonja Kodheli, Artur Gorishti, Fioralba Kryemadhi, e madhja Tinka Kurti, Erand Sojli, Guljelm Radoja dhe Alban Ukaj në role. Ramiro Civita drejtor fotografie, Walter Fasano montazhier, Shpëtim Baca skenograf, Emir Turkeshi kostumografe.

Përveç prezantimit të filmit BOTA në Festivalin Karlovy Vary, arritje e madhe në në këtë pjesëmarrje është fakti se Shqipëria dhe Kosova për herë të parë do të kenë një stendë të përbashkët për të promovuar kinematografinë e dy vendeve tona.

KVIFF është festival i kategorisë A dhe sigurisht prezantimi i filmit në vendin e mbërritjes së yjeve të kinemasë, regjisorëve dhe producentëve nga e gjithë bota duhet konsideruar si një vitrinë e rëndësishme jo vetëm për të prezantuar kinematografinë shqiptare, por edhe për të promovuar vendin tonë.

Ky festival gëzon një vëmendje të madhe mediatike nga revistat më të rëndësishme në botë si Variety, The Hollywood Reporter, Screen Daily, si dhe Indiewire.{:}