Ministria e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit

Firmoset programi i bashkëpunimit kulturor mes Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut

Ministrja e Kulturës Elva Margariti firmosi me homologen e Maqedonisë së Veriut, Irena Stefoska një program për bashkëpunim kulturor ndërmjet Ministrisë së Kulturës së Republikës së Maqedonisë së Veriut dhe Ministrisë së Kulturës së Republikës së Shqipërisë, për periudhën 2021 – 2026.

Ky program do të shtrihet në çdo sektor të artit e kulturës: muzikë, arte pamore, teatër, kinematografi; por dhe trashëgimi kulturore e promovim të vlerave më të mira, siç është edhe pasuria natyrore e kulturore e Rajonit të Liqenit të Ohrit. Ceremonia e firmosjes së këtij dokumenti u zhvillua në qytetin e Ohrit, ku u zhvillua edhe takimi ndërministror për Liqenin e Ohrit.

Në bazë të këtij programi: Palët do të inkurajojnë bashkëpunimin në fushën e muzikës dhe arteve performuese përmes shkëmbimit të solistëve/performuesve, dirigjentëve, ansambleve dhe grupimeve të tjera muzikore përmes bashkëpunimit të drejtpërdrejtë midis institucioneve në këtë fushë dhe aktiviteteve muzikore, si dhe festivaleve në të dy vendet; do të shkëmbejnë informacione, botime profesionale, literaturë muzikore, regjistrime përmes institucioneve kompetente dhe me vëmendje të veçantë do të mbështesin performancën e veprave origjinale nga autorët e të dy vendeve; do të bashkëpunojnë në fushën e shkëmbimit të përvojave dhe trajnimit të artistëve producentë nga të dy vendet.

Po ashtu, palët do të inkurajojnë bashkëpunimin midis institucioneve kompetente për aktivitetet muzikore dhe skenike të të dy vendeve dhe do të nxisin bashkëpunimin midis ansambleve folklorike të të dy vendeve dhe do të zbatojnë projekte dhe iniciativa të përbashkëta me qëllim promovimin e folklorit dhe zakoneve të të dy vendeve.

Sa i përket bashkëpunimit në fushën e teatrit, palët do të ndihmojnë në mënyrë reciproke në vendosjen e kontakteve të drejtpërdrejta midis teatrove të dramës, kukullave dhe teatrove alternative të të dy vendeve, si dhe midis institucioneve dhe shoqatave të tjera në fushën e teatrit me qëllim pjesëmarrjen e të ftuarve dhe shfaqjen e grupeve teatrore dhe artistëve në të dy vendet; do të inkurajojnë pjesëmarrjen në shfaqje teatrale dhe festivale në Republikën e Maqedonisë së Veriut dhe në Republikën e Shqipërisë si dhe do të mbështesin shfaqjet e veprave origjinale të autorëve nga të dy vendet.

Disa muaj më parë, Maqedonia e Veriut hapi në Tiranë një qebdër kulturore, që do t’I shërbejë njohjes së ndërsjelltë dhe bashkëpunimit mes dy vendeve tona.{:}