Ministria e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit

Në kornizën e programeve të saj në fushën e letrave dhe të leximit, Ministria e Kulturës shpall sot listën e fituesve të Fondit të Përkthimit Letrar për vitin 2015. Ky program vijon pas Thirrjes për projekte artistike ku u mbështetën 21 projekte të lidhura drejtpërsëdrejti me librin dhe botimet.
Fondi për Përkthimin Letrar (FPL) i themeluar më 2014 ka qëllim të nxisë dhe të mbështesë financiarisht përkthime të arrira të veprave të rëndësishme artistike të letërsisë europiane dhe asaj botërore në gjuhën shqipe, të nxisë përkthimin cilësor dhe ta promovojë atë si një nga format e rëndësishme artistike të shprehjes letrare.
FPL synon gjithashtu t’u vijë në ndihmë botuesve për të ulur kostot e librit duke ndikuar njëkohësisht në rritjen e cilësinë së katalogut të tyre.
Qëllimi kryesor i FPL-s është lexuesi të cilit duhet t’i ofrojmë letërsi cilësore dhe duhet ta edukojmë me tekste në shqipe të kujdesur e të shëndetshme.
Përmes FPL-s Ministria e Kulturës kujdeset që të vendoset standardi i respektimit të së drejtës së autorit si një nga  kushtet e domosdoshme për t’u përzgjedhur.
Për vitin 2015 ky fond kapi shifrën e 3.5 milionë lekë të reja, 1 milionë lekë më shumë krahasuar me buxhetin e vitit 2014.
Nga 30 aplikime të shtëpive botuese e përkthyesve, u përzgjodhën 18 prej tyre të cilët kaluan me sukses fazën e seleksionimit nga kolegjiumi dhe më pas nga ekspertët e fushës së përkthimit.
Krahas emrave fitues për përkthime, kemi kënaqësinë të shohim gjithashtu të përzgjedhur emra shkrimtarësh dhe poetësh nga më të rëndësishmit e letërsisë botërore të shekullit të XX dhe të kohës sonë.
Brenda 10 ditëve nga dita e shpalljes së fituesve, do të kontaktohen përkthyesit dhe shtëpitë botuese të përzgjedhura për të caktuar afatin e nënshkrimit të kontratës.

Shtëpia botuese Titulli Autori/Përkthyesi
Morava The sweetest dream – anglisht Doris Lessing/Taulant Hatia
Dudaj Turpi – anglisht Salman Ruzhdie/Alina Karaulli
Odeon Përmbledhje sherbimesh – frengjisht Samuel Beckett/Idlir Azizaj
Fan Noli Në Kërkim të kohës së humbur – frengjisht Marcel Proust/Edit Dibra
Pegi Lord Jim – anglisht Joseph Conrad/Zef Simoni
Pika pa sipërfaqe Pavdekësia – frengjisht Milan Kundera/Balil Gjini
Dituria Numero zero – italisht Umberto Eco/Ledia Dushi
Zambaku Anatomia e re – rusisht Danjill Harms/Agron Tufa
M&B Spoon river anthology – anglisht Edgar Lee Masters/Çelo Hoxha
Fjala Nesër në betejë mendo për mua – spanjisht Javier Marias/Shpëtim Doda
Ombra GVG Përbetimi i të fuqishmëve – italisht Carlo A. Martigli/Parid Teferiçi
Argeta LMG Zgjimi dhe rrëfime të tjera – anglisht Kate Chopin/Manjola Nasi
Albas Peisazhe pikturuar me çaj – serbisht Milorad Pavic/Ben Andoni
Albas Bija e varrmihësit – anglisht Joyce Carol Oates/Luljeta Lleshanaku
Toena Detektivët e egër – spanjisht Roberto Bolaῆo/Bajram Karabolli
EDFA Dëshmitari i një shekulli – anglisht George Seldes/Meri Lalaj
Botime Nacional Poezi të zgjedhura Blaise Cendrars/Anton Papleka
Zenit Këngët e Maldororit – frengjisht Isidore Lucien Ducasse/Romeo Çollaku

{:}