Ministria e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit

Fjala e Ministres Elva Margariti me rastin 70-vjetorit të themelimit të ish-Kinostudios

 

Korrik 2022

Besoj se shumë prej jush e kane marrë udhën për në Kinostudio jo pa emocion sot, ndonëse shumëçka në këtë zonë ka ndryshuar. Ndaj edhe ajo që po përpiqemi të bëjmë është që t’ia rikthejmë atë artistëve dhe komunitetit, duke e kthyer në një Park Arti, ku do ketë edhe hapësira ekspozimi, shfaqje filmash, hapësira krijuese…

Kjo mbrëmje e sotme është me të vërtetë një ogur i mirë!

Jam vërtetë e nderuar t’ju kem të gjithëve sot këtu, ndonëse, së pari kjo është shtëpia juaj.

Çdo hapësirë e kësaj godine dhe ambienteve përreth për ju ka një domethënie…. dhe nuk mund ta fsheh që të gjithë ne “burokratët”, që sot punojmë këtu, ndihemi të vegjël në këtë ndërtesë me histori të madhe.

Sot jemi këtu për 70-vjetorin e Kinostudios, që nuk mendoj se është thjesht evokimi i një periudhe të artë të kinematografisë shqiptare, por mbi të gjitha për të nderuar atë plejadë, misioni i së cilës nuk përfundoi vetëm me ngritjen e Kinostudios, por vazhdon dhe do të vazhdojë brez pas brezi, si një shkollë, si një shembull për t’u ndjekur për talentin, punën, përkushtimin, pasionin…

Sot shoh mes nesh regjisorë të nderuar, që nëse Shqipëria do të kishte qenë e hapur, do të konkurronin jo vetëm kinematë e rajonit.

Shoh yje të ekranit, me një bukuri të pastër shqiptare, që do të linin në bisht edhe divat botërore.

Nëse në tapetin e kuq të Venecias e Kanës në vitet ’60-’70 parakalonte Sofia Loren, Xhina Lolobrixhida e Brizhitë Bardo, ne kishim yje si Tinka Kurti, Margarita Xhepa e më pas Marjeta Ljarja, Rajmonda Bulku, Yllka Mujo, Shpresa Bërdëllima, Eva Alikaj, Luiza Xhuvani, Elvira Diamanti, Anisa Markarjan…

Ne krenohemi me to, sepse ruajtën dinjitetin në një kohë kur dinjiteti nëpërkëmbej nga një sistem që ndrydhte çdo ëndërr. Ishin zonja dhe artiste, që përtej ideologjizimit, krijuan figura të mëdha.

Ashtu siç kishim Marlon Brandot e Xhejms Dinët tanë, djemtë rebelë, për të cilët thyheshin dyert e kinemave, si Naim Frashëri, Timo Flloko, Ndriçim Xhepa, Ardian Cerga…

Në një botë të vogël si e jona, ne jetuam ëndrrën e madhe.

Sot, në Arkivin e Filmit ruhen 4327 prodhime shqiptare, filma artistikë, dokumentarë, vizatimorë…

E imagjinoni?

Janë mbi 6,4 milionë metra linearë.

Mes tyre, 270 janë filma artistikë, kontribut i punës së jashtëzakonshme të regjisorëve, skenaristëve, aktorëve, piktorëve, kompozitorëve, inxhinierëve të zërit, montazhierëve, teknikëve…

Dhe kjo përpjekje e ngritur mbi pasionin meriton një muze. Ambicja jonë është te ngrejmë një muze dedikuar filmit shqiptar, në këto ambiente, që Kinostudio të mos jetë thjeshtë: na ishte dikur!

Ne e kemi detyrim ndaj jush, që këtë projekt të mos e lemë në letër.

Unë dhe kushdo që ju ka admiruar përmes ekranit, mund të rrinim me orë për të folur për atë dritë që keni shpërndarë në kohëra të errëta. E kush nuk do ta shohë këtë dritë apo ato mesazhe lirie që ju përcillnit edhe duke rrezikuar, është thjesht i verbër.

Nuk më mbetet veçse t’ju falenderoj, edhe pse falenderimet janë pak.

Kjo mbrëmje është e juaja sot!