Ministria e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit

Fjala e Ministres Elva Margariti me rastin e futjes se xhubletes ne UNESCO

Ceremonia e mbajtur ne Pallatin e Brigadave

20 dhjetor 2022

Është e magjishme se si ky kostum me kaq hijeshi mund ta shndërrojë një grua në zanë dhe një ambient zyrtar në një log bjeshkësh…

Korridoret e Ministrisë së Kulturës u mbushën me vallëzimin e xhubletave, me ritmin e tupanës e lahutës dhe godina e ish-Kinostudios nuk na ishte dukur ndonjëherë më e bukur…

Janë nga Malësia e Madhe, Kelmendi, Shkodra, Tirana, Librazhdi, madje edhe nga Suedia e Egjipti, nga Japonia e largët dhe, Kazakistani, deri në Kamerun dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës…

Gra e vajza të të gjitha moshave që gëzuan bashkë me ne shpalljen e xhubletës si pasuri e gjithë njerëzimit nën mbrojtjen e UNESCO-s.

Tanimë xhubleta nuk është vetëm e jona!

Ishte një gëzim kaq i pastër, i natyrshëm, si një tundim i bukur për të marrë pjesë në një ritual gati mistik.

Sepse veshja e xhubletës nuk ka thjesht një rend, por edhe një kod, që qep atë harmoni të përsosur mes elementesh, asnjë i ngjashëm me njëri-tjetrin, por siç thonë gratë e Malësisë, pa njërën prej tyre, xhubleta, nuk është më xhubletë.

Shpesh na ndodh që në vrapin e jetës shumëçka ta marrim për të mirëqenë dhe është shumë vonë kur me trishtim shohim se koha ka ecur më shpejt se ne, dhe ka marë me vete dhe gjëra të shtrenjta, të dashura… e prej tyre ka mbetur veç korniza e kujtimit..

Sot e shohim këtë sallë mbushur plot me dallgë xhubletash, por nesër mund të mbetej veç një rrëfim nostalgjik gjyshesh.

Përballë këtij rreziku nxituam të kapnim kohën e humbur, duke e kthyer shpëtimin e xhubletës në një mision.

Një mision i pamundur, nëse do të ishim vetëm.

Ndihem me fat që na u bashkuan shumë miq, ndaj edhe sot me zemër u drejtoj falenderimet më të mira ekspertëve që hartuan dosjen fituese në UNESCO: Luljetës, Dorinës, Dorianit, Ermalit, Jonidës, Silvanës, Tamarës ekspertes nga Kroacia.

Falenderime për partnerët tanë të mirë Fondacionin Shqiptaro Amerikan për Zhvillim, që na u bashkua në një maratonë të vërtetë të hartimit të katër dosjeve të trashëgimisë sonë jomateriale, ku xhubleta e hapi udhën e para.

Qoftë e mbarë dhe një ogur i mirë për dosjet e tjera!

Falenderime për çdo studiues e koleksionist që ia ka dedikuar jetën kësaj veshjeje të mrekullueshme, që sot është nën mbrojtjen e UNESCO-s.

Por të hysh nën mbrojtjen e UNESCO-s nuk është një dekoratë, nuk është as përmbyllja me sukses e një misioni, por është fillimi i tij, që do ta çojmë përpara me asistencën dhe financimin e UNESCO-s.

Shpresoj shumë që edhe me ndihmën e pakursyer të të gjithë juve që jeni sot këtu.

Të bëhesh pjesë e kauzës për shpëtimin e dijebërjes së xhubletës nuk është mbështetje për Ministrinë e Kulturës, por për këto gra dhe vajza që e kanë mbajtur gjallë këtë krijim në shekuj, nga gjyshja, te nëna, te bija…

Falenderimi më i madh i shkon pikërisht atyre, që kanë përçuar mjeshtërinë e dijebërjes, pa e ditur se po ruanin një thesar të rrallë të mbarë njerëzimit, sepse për to të thurnin xhubletë vinte natyrshëm, lindte bashkë me jetën.

Ndaj edhe kjo mbrëmje i takon së pari atyre e më pas ne, që duhet ta quajmë veten me fat të kemi mundësinë të realizojmë ëndrrën që xhubleta të kapërcejë kohën dhe hapësirën, si një bukuri kurrë e fjetur.

Përherë xhubleta, me ciklet e jetës së saj, nga lindja në vdekje, më është dukur gjithnjë grua!

E fortë dhe e qëndrueshme si gratë shqiptare, përballur me kaq shumë tallaze që ky vendi ynë i vogël i ka kaluar jo pak; përbashkuese si nënat tona, që kanë mbajtur lidhur familjen, këtë vlerë që kohët moderne, po e zhbëjnë,

e megjithatë ato vazhdojnë ta mbajnë fort, si 16 fijet e xhubletës; e pandalshme për të shkuar përpara, për të tejkaluar çdo vështirësi; unike dhe e hijshme në modesti;

e magjishme në bukurinë e saj!

Në të gjithë atë proces për hartimin e dosjes, sipas rregullave strikte të UNESCO-s, të pashlyeshme kanë mbetur historitë e grave që kanë rrëfyer jetën e tyre mes Malësisë dhe punimit të xhubletës.

Historia e Tole Lekaj Berishës, 96-vjeçares nga Tuzi që ende e punon xhubletën;

Historia e Lena Linadit, që hyri nuse me xhubletë dhe ende sot mban veshjen 200-vjeçare të gjyshes;

të File Kolës nga Shkodra që duart i flasin më shumë se fjalët; Leze Pjetër Gjinajt nga Vraka, Drane Rukajt që ka “qëndisur” në mendje ornamentet e kambanës së xhubletës dhe ruan me fanatizëm veshjen që ka bërë vetë kur ishte 17 vjeç, në vitin 1959; Ritës që e njeh Malësinë me pëllëmbë e përpiqet çdo ditë të mbajë gjallë dijebërjen; Florinës që na solli një copë Malësie në hapjen e kësaj pritjeje; të Edlirës që e solli xhubletën në kryeqytet; të Afërditës që jetën ia ka dedikuar studimit të saj e s’na linte të gabonim në rendin e veshjes;

Luljetës që pasionin për koleksionimin dhe zbërthimin e simboleve i ka kthyer në një motiv jete;

Të atyre grave e vajzave që xhubletën e kanë jo thjesht një amanet të të parëve, por një mënyrë jetese.

Janë histori frymëzuese që na nxisin të marrim të tjera nisma për të ruajtur e lartësuar pasurinë tonë shpirtërore. Një ftesë drejtuar çdonjërit që është sot këtu, për të mbrojtur atë çka është jona dhe na bën unikë. Është ky momenti që kushdo që është këtu të mos jetë thjesht një spektator pasiv;

Është momenti që Ministria e Kulturës e ndan misionin e vet me ju, që të jeni aktorë përmes një kontributi konkret në ndihmë të këtyre grave e vajzave, që jemi me fat që i kemi.

Nisma që në të vërtetë kërkojnë mbi të gjitha një vizion afatgjatë, ku kultura është kryefjalë dhe jo një stoli e lënë në një qoshe, siç ka qenë për shumë vite.

Ndaj edhe falenderoj kryeministrin Rama për mbështetjen në çdo hap tonin, me bindjen e përbashkët, se e bukura do të shpëtojë botën!