Ministria e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit

Fjala e Ministres Elva Margariti me rastin e nënshkrimit të Programit të Bashkëpunimit Kulturor ndërmjet Shqipërisë dhe Italisë (2022-2025)

7 qershor 2022

I dashur Dario,

Zonja dhe zotërinj,

Më lejoni t’ju falenderoj që pranuat ftesën për të ardhur në Shqipëri përgjatë festimeve të Javës Kulturore Italiane.

Në filozofinë e tyre, Javët Kulturore janë një festë e madhe, që e ndajmë me miq të mirë; për të shpërndarë mesazhe paqeje dhe bashkëpunimi; për të njohur njëri-tjetrin; për të celebruar atë çka është më e bukur, që na bën të ndryshëm, por edhe që na bashkon: kulturën!

Nuk është e rastësishme gjetja, që këtë takim të sotëm ta zhvillojmë pikërisht në këtë ndërtesë, me një histori gati të çuditshme, i quajtur herë Pallat Mbretëror, herë Pallat Brigadash: porositur nga një mbret shqiptar, e projektuar nga një arkitekt italian.. për të treguar se dy vendet tona kanë dhënë e kanë marrë, kanë ndërtuar gjëra të bukura, që i kanë rezistuar kohës… Por më bukura që kemi ndërtuar në rrjedhën e shekujve është miqësia mes dy vendeve tona.

Na keni pritur e përcjellë shumë herë si nevojtarë në kërkim të shpresës në brigjet tuaja, por edhe si bashkëpunëtorë, apo thjesht si shijues të bukurisë së përjetshme italiane.. Dhe ju jemi falenderues… Kur vendi juaj u gjend përpara një vështirësie të jashtëzakonshme, në luftën kundër COVID19, nuk patëm asnjë mëdyshje të ishim solidarë me ju jo thjesht shpirtërisht, por edhe duke sjellë në Itali mjekë dhe infermierë. Ndoshta një ndihmë e vogël, por simbol i mirënjohjes dhe gatishmërisë sonë jo thjesht për të shlyer një borxh, por për t’i qenë pranë kujtdo që gjendet në vështirësi.

Unë jam një prej atyre shqiptarëve që kanë kaluar gjysmën e jetës së tyre në Itali e jam kthyer në vendin tim me dëshirën për të sjellë këtu më të mirën që munda të vjel prej jush.

Kushdo që vjen në Shqipëri nuk mund ta fshehë habinë se si është e mundur që thuajse të gjithë të lindurit e para viteve ’90 kuptojnë apo flasin mjaft mirë gjuhën italiane.

Gjatë izolimit më të thellë shqiptar, ekranet televizive italiane, që guxonim t’i shihnim fshehur, ishin për ne një dritë shprese, një fije komunikimi me botën. Dhe kështu gjuha italiane erdhi te ne.. dhe me vite u institucionalizua e mësohet në sistemin tonë arsimor.. Një traditë që do ta vazhdojmë falë edhe këtij programi, por tanimë i dyanshëm edhe në Italiku numërohet një komunitet i konsiderueshëm dhe i konsoliduar shqiptarësh.

 

Katedrat e gjuhëve përkatëse në institucionet e arsimit të lartë do të luajnë një rol të rëndësishëm në zbatmin e programeve, shkëmbimin e eksperiencave, dhënies së bursave apo binjakëzimeve.

Dhe sot jam e lumtur që teksa festojmë Javën e Kulturës Italiane, po nënshkruajmë programin e ri, 3-vjeçar, të bashkëpunimit kulturor, bashkë me homologun dhe mikun tim dhe të Shqipërisë, z. Franceschini. Gjej rastin të falenderoj ambasadorin Fabrizio Bucci, bashkëpunëtorin tonë të ngushtë, dashamirës i kulturës, me të cilin po çojmë përpara jo vetëm nismën tonë të Javëve Ndërkombëtare, por edhe shumë projekte të tjera ambicioze

Në ngritjen e kësaj ure komunikimi, që firmosim sot, një rol të veçantë nga edhe Ministria e Arsimit dhe Sportit, në veçanti kolegia ime, Ministrja Evis Kushi, që ka treguar vullnet të plotë për hartimin dhe miratimin e këtij programi.

I nderuar Ministër, kemi biseduar shpesh së bashku për sfidat që na kanë shtruar përpara kontekstet e reja postCOVID, që kërkojnë më shumë bashkëpunim dhe sot është dita, që në emër të Qeverisë Shqiptare të firmosim dhe rikonfirmojmë angazhimin mes dy vendeve tona në FUSHAT E ARSIMIT, KULTURËS, SPORTIT DHE RINISË.

Programi që po firmosim do të nxisë bashkëpunimin mes universiteteve jo vetëm në fushën e gjuhësisë, por edhe atë të kulturës. 

Është shumë e rëndësishme që universitetet, si bërthama të formimit të specialistëve të rinj, të bashkëpunojnë mes tyre, por edhe me institucione si Instituti Kombëtar i Trashëgimisë Kulturore, Instituti i Arkeologjisë, Instituti i Historisë etj.

Si ministre e Kulturës jam krenare që sot firmosim në program që shëndosh bashkëpunimin mes institucioneve të kulturës të dy vendeve tona. 

Bashkëpunime në muzikë, teatër e vallëzim, arte pamore përmes ekspozitash të artistëve tanë apo fonde të galerive; shkëmbime dhe përfaqësime në festivale dhe aktivitete të ndryshme ndërkombëtare; binjakëzime institucionesh si të Teatrit tonë Kombëtar me teatro të njohura italiane, si me Teatro Piccolo të Milanos dhe Teatro Stabile të Torinos.

Synojmë të rrisim bashkëprodhimet në fushën e kinematografisë. Aktualisht po punojmë për disa ndryshime në Ligjin për Kinematografinë, që ndër të tjera rrisin edhe mundësitë e shkëmbimeve dhe bashkëprodhimeve filmike. Jam e bindur se partnerët italianë do të jenë të parët jo thjesht për shkak të afërsisë gjeografike, por edhe kulturës së ngjashme.

Pa harruar trashëgiminë kulturore, që dy vendet tona e kanë një aset të vyer dhe jemi të nderuar të mësojmë nga ekselenca taliane në këtë fushë.

Ky program parashikon shkëmbime informacionesh, eksperiencash, publikimesh në fushën e muzeologjisë, mbrojtjen, ruajtjen dhe restaurimin e trashëgimisë kulturore dhe peizazhit; bashkëpunim në fushën e restaurimit përmes shkëmbimit të specialistëve të arkitekturës dhe veprave të artit; por edhe

binjakëzime mes muzeve të së njëjtës tipologji, si: Muzeu Arkeologjik Durrës me Muzeun Arkeologjik Napoli.

Nga ana tjetër Shqipëria rithekson angazhimin e plotë në luftën kundër trafikut të paligjshëm të pasurive kulturore, duke forcuar bashkëpunimin me institucionet italiane, duke zbatuar legjislacionin kombëtar dhe Konventat Ndërkombëtare të UNESCO-s.

Bashkëpunimi do të shtrihet edhe në art, dizajn dhe arkitekturë bashkëkohore, në arkiva, biblioteka dhe industrinë e librit, duke mundësuar një marrëdhënie të gjerë dhe kuptimplotë midis vendeve tona.

Të nderuar të pranishëm,

Programi i ri i bashkëpunimit vjen si vijimësi e natyrshme e bashkëpunimit të suksesshëm që kemi patur ndër vite. Përmend këtu programin e bashkëpunimit në fushën e kulturës që në vitin 1994, marrëveshjet që kanë mundësuar investimet italiane në projekte me rëndësi si Parku i Artit, projektet “Adrion” dhe “Adrifort”, projektet e digjitalizimit dhe trajnimit të stafit të Muzeut “Marubi”, dhe një sërë aktivitetesh, lista e të cilave do të ishte e gjatë për t’u përmendur këtu përpara jush.

Lidhjet tona mbartin jehonën e historisë. Ato janë jo vetëm shpirtërore por edhe fizike.Arbëreshët, diaspora e re shqiptare në Itali që prej viteve 90’ dhe vitet e fundit, italianët e shumtë që kanë zgjedhur të punojnë dhe jetojnë në Shqipëri, janë copëza të një mozaiku që, në zhargonin e profesionistëve të kulturës, duhet konservuar dhe pasuruar.

Ky mozaik është modeli i një marrëdhënieje shembullore të fqinjësisë së mirë. Çka për kohën ku jetojmë është një mesazh aktual, sepse kultura, në marrëdhënien midis shteteve, duhet të jetë pikënisja që bashkon dhe jo fundi që ndan.

Ju faleminderit!