Ministria e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit

Fjala e Ministres Elva Margariti me rastin e prezantimit të projektit të Muzeut hebraik Shqiptar

17 maj 2022

Qëkurse vendosëm të ngrinim Muzeun Hebraik Shqiptar kemi zhvilluar shumë takime me partnerët tanë të Fondacionit Shqiptaro Amerikan për Zhvillim, që po ndajnë me ne këtë rrugëtm; kemi shkëmbyer ide, mendime, jemi konsultuar me komunitetin hebre, kemi vizituar muze të kësaj tipologjie, shoqëruar nga dilema se si duhet të pulsonte zemra e këtij institucioni të ri kujtese, dialogu, historije…

Teksa diskutonim mbi formën dhe përmbajtjen e Muzeut Hebre pata bindjen e thellë se ky Muze duhet të tregonte historinë e saj, historitë e atyre mijëra hebrenjve që gjetën një derë të hapur jo vetëm në shtëpitë, por mbi të gjitha në zemrat e shqiptarëve.

Ky muze duhet të tregojë historinë e atyre mijëra shqiptarëve që si askush tjetër në botë dëshmuan se nuk ka rëndësi as numri i popullsisë dhe as varfëria, nëse ke një zemër të madhe dhe të mbushur me dashuri për njeriun.

Muzeu hebre do të jetë historia njerëzore e shqiptarëve dhe hebrenjve; do të jetë historia e një miqësie, lindur qindra vjet më parë, atëherë kur bashkë me kishat e xhamitë, ngriheshin dhe sinagogat; përjetësuar gjatë Luftës II Botërore kur shqiptarët ndanë me ata që lanë në arrati pragjet, shtëpitë e tyre të vogla, por mbushur me dashuri të pastër; ndanë të vetmen xhaketë; ndanë festat… mbiemrin.. Ashtu si në shekuj na kanë mësuar të ndajmë me mikun: bukë e kripë e zemër.

Do të ishte e pafalshme nëse këtë histori thellësisht njerëzore të mos ua përcillnim fëmijëve tanë jo thjesht si jehonën e një kohe të shkuar, si një rrëfenjë të pazakontë; si sfidën e pabesueshme që një vend i vogël i bënte një superfuqie shkatërruese… por mbi të gjitha si një nga motivet për të qenë krenarë për të qenurit shqiptarë.

Ky muze është e shkuara, por edhe e tashmja dhe e ardhmja. Ky muze janë prindërit tanë, jemi ne, janë fëmijët tanë!

Ky është koncepti i këtij muzeu mes imazhesh, zërash, dëshmish, ftesës për një dialog brezashKy është koncepti i një muzeu, që do të jetë pranë Rrugës së Hebrenjve, në Vlorë, shumë pranë detit që në në rrjedhën e kohërave ka lidhur fatet e shumë njerëzve, pavarësisht kombësisë, në kërkim të lirisë, shpëtimit, jetës më të mirë;

Ky muze do të jetë aty për të na bërë hije si një shpatë Damokleu, duke na kujtuar se e shkuara është shumë pranë nëse nuk do të mësojmë nga tragjeditë; do të jetë aty për të na përmendur në vrapin e përditshmërisë, se shqiptarët janë këta: Mikpritës për këdo që gjendet në vështirësi!

Ky është koncepti që përshkojnë linjat arkitektonike të këtij muzeu, ku ndërthuret trashëgimia kulturore përmes godinës-monument kulture me ndërhyrjen elegante të arkitektëve të studios fituese të konkursit ndërkombëtar: “Kimmel – Eshkolot Architects”, që iu përgjigjën nevojës sonë për të ngritur një muze shpirtëror. Kemi shqyrtuar gjithçka me kujdes: elementët shtesë në arkitekturë, qarkullimin e brendshëm, që të përshkruante kalimin, si një proces që ka shoqëruar historinë hebreje në kërkim të tokës së premtuar. Shqipëria ndoshta nuk ishte toka e premtuar, por ishte toka e shpëtimit.

Besoj se fakti që studioja vjen nga Izraeli është një vlerë e shtuar dhe një qasje më natyrale dhe e drejtpërdrejtë me historinë që ne kemi për të rrëfyer.

Nuk na mbetet veçse të nisim nga puna për ngritjen e këtij muzeu, që do të jetë magnet vizitorësh, që do të udhëtojnë drejt Vlorës jo thjesht për bregdetin e mrekullueshëm, por edhe për Qendrën Historike, një tjetër punë e përbashkët dhe transformuese me partnerët tanë të Fondacionit Shqiptaro-Amerikan për Zhvillim e më pas në muzeun më të ri, që plotëzon një copëz të munguar në pazëllin e asaj që quhet shqiptari.