Ministria e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit

Fjala e Ministres Elva Margariti në ceremoninë e hapjes së Javëve të Kulturave Ndërkombëtare 2022

26 prill 2022

Përshëndetje Tirana!

Jemi përsëri në këtë shesh, që bën bashkë miq nga anekënd globit, por këtë herë për të celebruar në një paradë plot ngjyra flamujsh, tinguj e kultura, të bukurën e shqiptarisë: MIKPRITJEN!

Sot Shqipëria mikpret botën!

Në rrjedhën e shekujve kemi treguar se: Shtëpia e shqiptarit është e Zotit dhe e mikut!

Dhe është një përkim i bukur, që në këtë muaj të shenjtë, mbushur me kremtime dhe adhurim për Zotin, ne presim kaq shumë miq!

Në këtë atmosferë festive i hapim udhë Javëve Ndërkombëtare të Kulturës, një nga nismat më të bukura të Qeverisë Shqiptare, që starton sot e do të përsëritet çdo vit për të treguar më të bukurën e çdo kombi.

Pak më parë e ndezën skenën djemtë e grupit “Thunderëay”, që me historinë e tyre na kthyen pas në kohën kur Shqipëria thyente izolimin 50-vjeçar, ndërsa sot bota vjen te ne.

Ndryshe nga brezi ynë dhe i prindërve tanë, që të vetmen dritare mbi botë kishim librin apo kanalet e ndaluara televizive, të rinjtë sot e kanë botën në dorë përmes teknologjisë, mund të lidhen me bashkëmoshatarët e tyre virtualisht në çdo skaj të globit.

Por për ne shqiptarët asnjë miqësi nuk do të kishte kuptim pa një shtrëngim duarsh, pa atë komunikim të afërt dhe mikpritje, që e kemi trashëguar në breza.

Na e kanë trashëguar gjyshërit tanë me hebrenjtë e shpëtuar gjatë Luftës II Botërore dhe do t’ua trashëgojmë edhe ne me afganët, që lanë dheun e tyre për t’i shpëtuar përndjekjes; apo me ukrainasit, që me zemër hapur i presim nëse do të trokasin në derën tonë.

Sepse bujaria është pasuria më e madhe e shqiptarëve.

Në këto kohëra të trazuara që po jetojmë, Shqipëria jep një mesazh të fortë, atë të vëllazërisë, të bashkëpunimit, të shkëmbimit të asaj çka kemi më të mirë, dimensionin tonë shpirtëror të lidhur fort pas kulturës; atë të të qenurit bashkë në kohëra të vështira.

Jemi këtu, jemi sot dhe celebrojmë jetën si dhuratën më të bukur që na është dhënë; dhe festojmë së bashku; festojmë me miqtë tanë të mirë, duke filluar me Francën, e para që hap këtë rrugëtim, për të vijuar me radhë: Itali, Izrael, Greqi, Spanjë, Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Japoni, Gjermani, Emiratet e Bashkuara Arabe, Suedi… e që do të kulmojë me Kosovën, me gjysmën tonë të mirë, në Ditën e Flamurit!

Festivale, muzikë, balet, kinema, arkitekturë, sport, diplomaci, shkëmbime tregtare, shije…., do të na e sjellin botën këtu, te ne, duke e kthyer të gjithë vitin në një festë, ku janë të ftuar që nga fëmijët deri te më të moshuarit, sepse të gjithë do gjejnë veten: të vegjlit do njohin botën, e prindërit tanë do të prekin ndoshta ëndrrat e parealizuara të rinisë.

Që të vinim deri këtu është dashur shumë punë dhe bashkëpunëtorë.

Një falenderim të veçantë për Bashkinë e Tiranës, këtë skuadër energjike me të cilën po çojmë përpara shumë projekte, dedikuar në veçanti të rinjve, që në këtë vit kur Tirana është shpallur Kryeqyteti Europian i Rinisë, po i tregon botës dimensionin e saj europian!

Të nderuar miq,

Të gjithë së bashku, ashtu si i gjithë globi jemi përballur me situata të pazakonta: tërmet, pandemi, ankth lufte…, por pikërisht në mesin e kësaj krize botërore, qeveria shqiptare investon si asnjëherë më parë për kulturën, me bindjen e plotë se pa kulturë nuk ka të ardhme!

Si asnjëherë më parë kemi kaq shumë kantiere rikonstruksionesh, projekte, bashkëpunime e kaq shumë nisma kombëtare e ndërkombëtare, që nuk janë fasada apo projekte 3D, por investime të qëndrueshme për të ardhmen e fëmijëve tanë, në rrugën tonë të sigurt drejt familjes europiane.

E tillë është edhe nisma e Javëve Kulturore Ndërkombëtare, që nis sot e shpërndahet në rrathë koncentrikë në gjithë Shqipërinë jo vetëm në kulturë, por edhe arsim, turizëm e zhvillim ekonomik.

Por sot, nuk është dita e fjalëve, por e festës, ndaj nuk do të doja të flisja më gjatë, por t’i lija vendin ideatorit të kësaj nisme madhore që ndjenim se na mungonte dhe sot po i japim jetë, kryeministrit, Edi Rama!