Ministria e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit

Ishte viti 1931 kur Tirana, po vishej me një pëlhurë urbane, që qasej t’i ngjante një qyteti. Pikërisht këtu, në atë kostum “alla frënga”, që kishte nisur “të qepej”, mori formë një klinikë mjekësore. Një ndërtesë, që u ngjiz për të shpëtuar jetë, por që fati do t’i shenjohej, pikërisht për të kundërtën: E shfytyruar mes luftërash, prej vitit 1950, kjo godinë u shndërrua në zemrën pulsuese të Sigurimit të Shtetit.

Bashkë me bimët kacavjerrëse, që i mbuluan trupin, kjo godinë u mbulua EDHE nga hija e tmerrit. Kërcenjtë, e mbërthyer pas mureve, i ngjanin kabllove të aparaturave, që u shtrine mes jetëve tona, duke përcjellë ankth dhe frikë.

Me kalimin e viteve njerëzit filluan të mos e shihnin më, të bënin sikur nuk ishte këtu, të ndërronin udhë tek kalonin në trotuarin përbri, të mos e preknin as me bishtin e syrit, sepse përndryshe do të zgjonin Cerberin.

Ata që guxuan, nuk do të ktheheshin më nga Hadesi, ose do të ktheheshin të shndërruar, të fikur… dhe dekada më vonë do të shkruheshin në historitëqë rrefehen bash në pavijonet e këtij muzeu.

Nëse “1984”-a e George Orëell nuk do të ishte shkruar në vitin 1949, shumëkush prej nesh do të mendonte se nxitjen e kishte marrë në Shqipëri, ku një “Vëlla i madh” vëzhgonte mbi gjithçka, dhe Shtëpia me gjethe, ishte veshi i tij.

Më lejoni të citoj një burrë të mençur, që u largua prej nesh pak kohë më parë:

Në Rusinë ish-sovjetike, me një histori të ngjashme me tonën, thuhet: Nëse do të njohësh historinë e Amerikës merr një libër, nëse do të mësosh historinë e Rusisë sovjetike merr një lopatë.

Ne e kemi marrë lopatën për të zbuluar varret e viktimave, por lopatën e arkivave nuk e kemi marrë akoma dhe ky muze do të shërbejë si një lopatë për të gërmuar në një zonë ende të panjohur”.

Kështu do të shprehej studiuesi i artit, Gëzim Qendro, i cili ishte pjesë e grupit të punës për ngritjen e Muzeut Kombëtar të Përgjimeve “Shtëpia me gjethe”.

Dhe në të vërtetë ashtu ndodhi. Hapja e dyerve të shtëpisë së tmerrit, do të zbulonte një nga skemat më të sofistikuara të diktaturës, për të sunduar jetët e njerëzve, atë përmes frikës, ndërtuar si rrathët e “Ferrit” dantesk, ku vërtiteshin përgjuesit e telefonatave e telegrameve; mikrofonët-“çimkat”, që si parazitë të fshiheshin në shtëpi e në trup (E çuditshme se si vendi më i varfër në Europë, të mos kursehej për të përvetësuar teknologjinë më të fundit, për qëllime të mbrapshta.);

Nuk dua të ndalen se si mbusheshin dosje, prodhoheshin makinacione, se si niste pikerisht këtu kalvari drejt dënimit dhe se si listat e “armiqve të popullit”, që i luteshin në errësirë Zotit, veçse shtohej..

Dua të ndalem vetëm tek e vërteta e pamohueshme, që arsyeja për të cilën jemi sot këtu, SHPALLJA E KETIJ MUZEU  “Muzeu i Këshillit të Europës 2020”, është dëshmia që përmasat e atij deformimi njerëzor, që zinin fill kqtu brenda, u shndërruan po këtu, në atë pikën e ujit, që përditë e përditë, zgjon kujtesën tonë, që nuk jemi përgjumur prej së përditshmes; që NUK KEMI lejuar që e shkuara të përsëritet dhe që pikërisht këtu po i kujtojmë TË RINJVE se liria dhe demokracia nuk janë një e dhënë e përjetshme, por duhen mbrojtur çdo ditë.

Sot jemi në këtë ndalese kohore, që shënon një tjetër etapë në pëlhurën urbane të Tiranes, falë vizionit të atyre që e ideuan, e realizuan dhe mbështetën ngritjen e këtij muzeu; që besuan në misionin dhe të vërtetat që ai kishte për të rrëfyer, e sot ky çmim është edhe një tjetër përqafim mirënjohjeje që vjen nga larg.

Faleminderit Z. Kryeministër, që investimin tek ruajtja e kujtesë e keni parë si një investim tek e ardhmja.

Dhe sot pranojmë këtë çmim, jo pa krenari e mirenjohje, por më së shumti me një përgjegjësi të shtuar, për të zbardhur të kaluarën; për të mos e lëshuar ‘lopatën e kërkimit’, sepse vetëm njohja e bën me të vërtetë njeriun e lirë, vetëm njohja na bën me të vërtetë më të mirë!

Falemiderit, që e keni parë këtë muze të vogël, në këtë kënd të Europës, si zërin që duhet të dëgjohet në këto kohëra të trazuara që po kalon njerëzimi. Dhe le të jetë ky çmim EDHE një ftesë më shumë për të na njohur, kuptuar dhe pranuar në familjen tuaj, në Bashkimin Europian!

Faleminderit!