Ministria e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit

Mos lejo të ndryshket hekuri që është në ty.

Bëj që në vënd të mëshirimit, të të respektojnë”

Kjo thënie e shenjtores sonë, Nënë Terezë mu ndërmend, teksa në Bruksel zhvillohej Konferenca e Donatorëve, ku thirrjes së Shqipërisë për ndihmë iu përgjigj aq fort dhe aq bujarisht, gjithë komuniteti ndërkombëtar. Një përgjigje që tregonte solidaritet, por edhe respekt e besim, se ndihma e tyre nuk do të shpërdorohej.

Kemi folur gjatë për dëmet e shkaktuara nga tërmeti në këto muajt e fundit dhe sot, nuk do të doja më të flisnim për pasojat, por për ringritjen.

Një rrugë që nisi, ende pa pritur llogaritjen e bilanceve të dëmeve.

Përtej nevojave imediate për një strehë, shkolla e qendra shëndetësore, të mos harrojmë se ka edhe një tjetër konstante të pandryshueshme në jetën e shqiptarëve, që i bën ata të ndihen krenarë: trashëgimia kuturore.

Tërmeti do të godiste edhe këtë pjesë të identitetit kombëtar shqiptar, dëshmi të përkatësisë sonë europiane.

Mbi 50 objekte të trashëgimisë materiale u dëmtuan në hapësirën e prekur nga tërmeti. Janë monumente të një rëndësie të dorës së parë, të lidhura ngushtësisht me simbolet tona kombëtare, si kala, objekte kulti, banesa karakteristike e muze

Por falë reagimit të menjëhershëm kanë përfunduar fazat e ndërhyrjeve emergjente, për t’i hapur udhë një procesi po aq të rëndësishëm dhe me një vizion edhe më jetëgjatë, që është jo thjesht rikonstruksioni, por dhe rijetëzimi i këtyre monumenteve.

Një proces, mbështetur nga Bashkimi Europian përmes Programit prej 40 milinë eurosh, EU4Culture, që me bindje të plotë mund të them se nuk do të kishte qenë e tillë, në mungesë të një plani të qartë ndërhyrjeje, konceptuar në paketa investimesh, që nuk do të fokusohen vetëm në meremetime muresh, por në një operacion të detajuar rijezëtimi.

Mes objekteve të dëmtuara, përfshimë në listën prioritare 35 prej tyre, mes së cilave 7 kala, 9 muze, 9 ndërtesa institucionesh e arkiva, 10 objekte kulti e banesa.

Ju solla disa shifra dhe objekte për të treguar se ky program synon të shkojë përtej ringritjes së 2-3 monumenteve simbolike, por prek në mënyrë të drejtpërdrejtë jetët e shqiptarëve.

Në vizionin e Qeverisë Shqiptare, kultura dhe trashëgimia kulturore nuk janë çështje të dorës së dytë, por pjesë e synimit për Shqipërinë Europiane, që meriton gjithë vëmendjen dhe investimin e duhur, për ta nxjerrë nga nivelet e inferioritetit e për ta kthyer në një shtyllë solide, në përmbushjen shpirtërore të shqiptarëve, por edhe të turizmit kulturor, konkurrues në rajon.

Na pëlqen ta quajmë “ekonomia e së bukurës”, sepse trashëgimia kulturore nuk duhet të jetë thjesht një dekor, që jo rrallë herë e harrojmë apo e quajmë të mirëqënë, por të vihet në shërbim të komunteteve lokale;

Do të ringrihen kala, por do të hyet edhe në arkiva për digjitalizimin e pasurive që ruhen në to, duke i shpëtuar nga brejtja e kohës e duke i vënë në shërbim të përdoruesve;

Do të përforcohen ura, por do të rikonceptohen edhe muze, ku tradita do t’u flasë brezave të rinj përmes teknologjsë, audioguidave shumëgjuhëshe e të përshtatura për më të vegjlit;

Do të restaurohen objekte kulti, por edhe biblioteka, ku nuk do të ketë thjesht rafte librash, por edhe laboratorë restaurimi, kënde dedikuar fëmijëve, të cilët do t’i mësojmë jo vetëm të ecin me hapin e kohës, por të mbruhen me ndjenjën e së bukurës së të qenurit shqiptar, në këtë turravrap ku të gjithë rendin të jenë qytetarë të të gjithë botës;

Do të rikthehet jeta në banesa monument kulture, ku banorët rendin të ikin, e t’i braktisin, duke kthyer tek ata dëshirën për të qëndruar e investuar në shtëpitë e të parëve; Të hedhin rrënjë në vendin e vendin e vet e të mos e shohin si një stacion prej të cilit duhet ikur.

Kjo marrëveshje që do të nënshkruhet sot është një pikë kthese për të ardhmen e trashëgimisë kulturore në Shqipëri. Ndaj më lejoni të falenderoj të gjithë vendet e Bashkimit Europian që kontribuuan në të.

Sot është dita e celebrimit të një cilësie përtej humanes, që është solidariteti.

Një solidaritet e gatishmëri e pashembullt, prekës, që nuk u kufizua në mesazhe ngushëlluese, por me forca konkrete në terren, ekspertiza për përllogaritjen e dëmeve dhe hartimit të projekteve të ringritjes, që nuk do të mund të kishte ndodhur aq shpejt dhe me aq efikasitet, nëse nuk do të kishim pasur mbështetjen e Bashkimit Europian, kësaj familjeje të madhe, që gjithëherët i kemi përkitur dhe që besoj fort se përveç ndjenjës së humanizmit, që është në themel të kulturës europiane, na u gjend pranë edhe për një tjetër arsye: Besimit në drejtimin e duhur, që Qeveria Shqiptare po ndjek, për të fituar kohën e humbur, për shkak të vonesave historike dhe gabimeve të së shkuarës.

Dhe më lejoni ta mbyll sërish me dy fjalë të së shenjtës Nënë Terezë:

“E djeshmja iku.

E nesermja akoma s’ka ardhur.

Kemi vetëm të sotmen.

Le t’ia fillojmë!”