Ministria e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit

Ju uroj mirëseardhjen nën këtë re poetike, që autorët e kanë titulluar “Lehtësia e poezisë”.

Ju siguroj se me fjalën “lehtësi”, nuk vihet në dyshim thellësia e poezisë, por ajo ndjesi shpirtërore, që na jep krahë, që na ngjit në të tjera dimensione. Një ndjesi që mund të ta krijojë vetëm poezia, aq e thellë sa që zbulon thellësitë e shpirtit dhe aq e lehtë, sa të na mbajë pezull në qiell.

Siç thoshte Tomas Eliot “poezia komunikon përpara se të kuptohet”.

Promovimin e këtij instalacioni,- për të cilin falenderoj artistin Ergys Krisiko që rroku këtë ide dhe e përshtati pikërisht në ambientet e një institucioni shtetëror, duke e “lehtësuar” nga “hija” që mbulon zakonisht këto ndërtesa, por edhe si një ftesë për të rinjtë, që kanë një ide e duan ta ndajnë, – e kishim menduar si një event më vete, por ndoshta nuk do të kishte qenë e drejtë, që spektatorët e saj të parë të ishin pikërisht poetët apo njerëzit e letrave.

Ndaj i bëmë bashkë këto dy ngjarje, promovimin e instalacionit dhe shpalljen e Poetit Laureat, këtë ngjarje për letrat shqipe, që për herë të parë ndodh në Shqipëri dhe i bashkohet traditës shumëvjeçare, që udhëton nga Europa drejt Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Kanadasë e Australisë.

Ky aktivitet përmbyll edhe Tetorin e Librit, një muaj aktivitetesh, për të cilin do të doja të falenderoja Drejtoreshën e Qendrës së Librit dhe Leximit, Alda Bardhyli për dëshirën dhe entuziazmin, për shpirtin përbashkues për t’i bërë bashkë njerëzit e letrave, sepse, në këto zanatet tona, bindjet politike nuk kanë asnjë rëndësi.

Arti duhet t’u flasë të gjithëve dhe e ndjej si detyrim, të falenderoj të gjithë ata që i janë bashkuar aktiviteteve të Qendrës Kombëtare të Librit dhe Leximit, që ka pasur mbështetjen e plotë të Ministrisë së Kulturës.

Ky vit i vështirë pandemie na tregoi se çfarë rëndësie ka për jetët tona libri, të lexuarit, ndaj edhe ne nuk do të lodhemi së përsërituri: Lexoni shqip! Lexoni autorët shqiptarë!

Dhe nën këtë qiell poezie spërkatur nga yjet e letërsisë sonë, që nga De Rada, te Naimi,  Asdreni, Çajupi, Migjeni, Poradeci etj., le t’i japim udhë një tjetër tradite, e nisur prej grekëve me një kurorë dafine. Sot do të kemi edhe ne poetin apo poeteshën tonë laureate.

Çdonjëri prej kandidatëve meriton të jetë Poeti Laureat dhe nuk do të doja aspak të isha në pozicionin e jurisë.

Urime të gjithëve dhe poezia nga mbajtet shpirtin tonë peshë!