Ministria e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit

Kur për herë të parë Kristiani trokiti në zyrën time, njiheshim vetëm për së largu. Kristiani erdhi me një ide. Nuk kërkonte para, siç ndodh rëndom, por mbështetje.

Ishte një komunikim aq i drejtpërdrejtë dhe entuziazmi i tij aq ngjitës, saqë nuk mund të bëje ndryshe, veçse të pranoje.

Dhe e konsideroj një takim fatlum, sepse te Kristiani unë shquaj modelin e të riut, që nuk pret të përmbyllë një projekt për të nisur të mendojë për një tjetër.

Dhe jam e bindur se ai nuk është i vetmi, se ka shumë të rinj të talentuar, që më shumë se për para kanë nevojë për mundësi. Dhe Ministria e Kulturës është e hapur për të mbështetur artistët e rinj, që sjellin ide kreative.

Poemën dramatike “Qielli im”, pa dashur të ndalem në rrëfim, që të mos zbuloj asgjë nga magjia që sjell, do ta quaja padyshim “një konstelacion yjesh”.

Në këtë qiell të bukur poetik të Ilirjan Zhupës shndrijnë Luiza Xhuvani, me thellësinë e shpirtit të saj të bukurNdriçim Xhepa kjo ikonë e padiskutueshme e interpretimit shqiptarZamira Kita me atë rreze mirësie që na sjell nga Korça dhe Kristiani, ky përfaqësues i denjë i brezit të ri.

Aq më tepër kur e gjithë kjo mblidhet nën kupolën e një prej monumenteve të trashëgimisë sonë kulturore, Kishës së Shën Kollit, në Voskopojë.

Rrethuar nga një ambient mistik, vargjet poetike marrin një tjetër dimension, ngrihen nga tokësorja e na ngrejnë në një dimesion më shpirtëror.

Dhe në këto kohë të vështira që po kalojmë, një reflektim më i thellë mbi jetën, një komunikim më i thellë me veten dhe me tjetrin, kthehet në një nevojë jetike.

Uroj që ta shijoni!