Ministria e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit

Plot një vit më parë ishim bashkë në qendër të Lezhës për të kremtuar datëlindjen e poetit tonë kombëtar. Atë ditë ne dhamë një premtim, atë të restaurimit të shtëpisë, ku për pak kohë kishte jetuar Gjergj Fishta, fëmijë.

Që prej atij premtimi, vendi ynë ka kaluar sprova të jashtëzakonshmeSë pari tërmeti, plagët e të cilit po përpiqemi të mbyllim, e më pas një pandemi që ka gjunjëzuar gjithë globin.

Por ne nuk u ndalëm dhe sot jemi bash përpara shtëpisë së restauruar të Fishtës, me një premtim të mbajtur.

Ishte e pamundur të mos ‘thyheshe’ përpara këmbënguljes së banorëve të Fishtës, që me ngulm e kërkonin restaurimin e kësaj shtëpie, që për ta ka një domethënie të madhe, pasi ata dhe poeti janë në një simbiozë të pandarë, e sot është e vështirë të dallosh nëse fshati i dha emrin poetit apo poeti fshatit.

Por ky premtim nuk na bën kryelartë, por na shton përgjegjësitë që të vijojmë në realizimin e projektit tonë, për rindërtimin e Rrugëtimit Fishtian, kësaj linje të shënuar nga stacionet e jetës së Fishtës, këtij njeriu të madh, që qiririn e ekzistencës së tij e shkriu për Fe e Atdhe.

Gjergj Fishta iu betua Zotit po aq sa edhe atdheut; luftoi për bashkimin e shqiptarëve, përtej dasive fetare e krahinore.

Ishte Fishta që thoshte se:

“Në rast se ata nuk na duan në një shtet të vetëm, pasi thonë shqyptarët qenkan muslimanë, aherë… na kristianët do t’i shkrijmë kryqet tona dhe do t’i bajmë fishek me mbrojt vllaznit tanë muslimanë shqyptarë!”

E para një thirrjeje të tillë, ne bashkëkombasit e tij të shekullit 21, që pavarësinë dhe lirinë  i gjetëm shtruar, do të duhej të fshiheshim turpit, kur më shumë se punën shohim fjalët boshe.

E ndaj ne sot, këtu jemi jo vetëm si mbajtës të një premtimi, por për ta çuar më tej amanetin e tij të bashkimit dhe ndriçimit të mendjes së shqiptarit sepse: Tash që u ba Shqinija duhet me ba shqiptart!

Ministria e Kulturës, me mbështetjen e plotë të Qeverisë Shqiptare do të vijojë më tej me projektin e saj të restaurimit dhe përkujtimit të gjurmëve fishtiane përmes memorialesh, në kisha, manastire, rrënoja shtëpish, biblioteka, ku ai i ka shërbyer grigjës së Zotit e shkroi veprat e tij, herë me gjuhë dashurie e herë therëse, herë me të hakërryer e herë me të mirë, për zgjimin e shqiptarëve nga ai gjumë i gjatë nënshtrimi që e la pas vendeve te tjera të Europës.

ne sot duhet të kapim kohën e humbur, duke iu kthyer urtisë së burrave të mëdhenj të kombit, si Fishta, Konica, Frashërllinjtë, që vazhdojnë të jenë pishtarë ndriçues në rrugën tonë europiane, pasi ishin ata që me vështrimin e tyre prej vizionari na treguan se për ne shqiptarët, dielli len nga perëndon!

Restaurimi i kësaj shtëpie është vetëm një hap dhe shpresojmë, që të shërbejë jo vetëm si nderim për emrin e Fishtës, si një stacion pelegrinazhi për të gjithë ata që do të duan të ndjekin gjurmët e poetit, por edhe një arsye më shumë për të ardhur në Fishtë, në këtë fshat të bukur e bujar