Ministria e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit

E nderuar kryetare e Parlamentit,

Të nderuar deputetë e kolegë,

Përurimi i Teatrit Kombëtar të Operës dhe Baletit, vetëm një ditë përpara prezantimit të shtyllave kryesore që do të udhëheqin punën e Ministrisë së Kulturës gjatë këtij mandati të tretë qeverisës, ishte dëshmia më e qartë se jo vetëm mbajmë premtimet e dhëna, por edhe dimë të vëmë standarde, që kanë nisur të replikohen edhe në institucione të tjera të një rëndësie sipërore.

Mbrëmë përuruam investimin më madhor të Qeverisë Shqiptare në art e kulturë, në këto 30 vitet e fundit, që solli një transformim rradikal në një godinë, në të cilën për 60 vjet, nuk ishte investuar seriozisht, me gjithë përpjekjet e dëshirat e drejtorëve për të përmirësuar disi kushtet e artistëve, të cilat besoj i keni parë të gjithë, nuk ishin të denja as për artistët, as për publikun, as për një institucion, të vetmin në Shqipëri, atë të Operës dhe Baletit.

Kjo ishte një provë që kjo Qeveri, në të gjitha mandatet e saj ka pasur një vëmendje të veçantë për kulturën.

Një vëmendje që nuk do të mbetet konstante, por që do të shtohet edhe më shumë me projektet e reja që po çojmë përpara.

Dhe si pjesë e skuadrës qeverisëse ndihem dyfish përgjegjëse që të njëjtin ritëm, madje shumë më shpejt, ta mbajmë për të sjellë ndryshime rrënjësore jo vetëm në atë çka është bazike, e domosdoshme dhe urgjente, që është infrastruktura kulturore, por edhe në mendësinë jo vetëm e të bërit art, por edhe edukimin e një brezi të ri profesionistësh.

Me të njëjtin entuziazëm dhe seriozitet, kemi nisur punën prej kohësh tashmë dhe do të ngrejmë edhe Qendrën Kombëtare për Fëmijë, do të shtojmë hapësirat edhe të Galerisë Kombëtare të Arteve, do të ngrejmë edhe Teatrin e ri Kombëtar, edhe Muzeun e Hebrenjve, Qendrën më të madhe Rajonale për Inovacionin, Parkun e Artit e shumë e shumë të tjera.

Paralelisht me to vjen ngritja e niveleve artistike dhe motivimi financiar i artistëve, që jo vetëm nuk e kanë braktisur këtë vend, por kanë bërë art në kushte të pazakonta, duke na dhënë ndjesinë e normalitetit edhe atëherë kur nuk kishte normalitet.

Teatri Kombëtar i Operës dhe Baletit dhe artistët e dalë nga ajo skenë, që janë kthyer në ambasadorët më të mirë të kulturës shqiptare, janë shembulli më i mirë i sakrificës dhe i transformimit.

-I-

Të nderuar,

Gjatë dy viteve të fundit kemi kaluar situate të jashtëzakonshme. Jemi parballur me një tërmet shkatërrues dhe një pandemic që ka gjunjëzuar gjithë globin. E megjithatë ne nuk e ndalëm punën, por nga ana tjetër reflektuam dhe rishikuam vetveten, rivlerësuam prioritetet dhe projektet tona. Tanimë bota nuk është më e njëjtë.. por megjithatë kultura duhet të shkojë dhe duhet të aksesohet me domosdo nga të gjithë, në çdo kohë. Ndaj qasja jonë ndaj artit dhe kulturës duhet të jetë më bashkëkohore dhe me një fokus të veçantë tek fëmijët dhe brezi i ri.

Nuk është as i rastësishëm dhe as çështje numrash apo kapriçiosh fakti që kjo qeveri ka kaq shumë ministre gra. Asgjë mangët kolegëve burrave, është jo vetëm përgjegjshmëria e tyre për të çuar çdo detyrë përpara, por edhe ndjeshmëria e lidhur me mëmësinë dhe përkujdesin ndaj fëmijëve, që i shkon për shtat vizionit të një Shqipërie, që të ardhmen e sheh te brezi i ri.

Ne synojmë “KULTURËN E SË ARDHMES”, duke ofruar më shumë hapësira kreative për fëmijët, të rinjtë, artistët…

Mbushja e mungesave të hapësirave të dedikuara për fëmijët është një nga prioritetet kryesore të Ministrisë së Kulturës.

  • Krijimi i Qendrës Kombëtare për Fëmijë, një projekt të cilin nisëm ta çojmë përpara me Kryeministrin, që ditën e parë timen në këtë detyrë, është hapi i parë për politikat dhe programet në favor të familjes dhe fëmijëve. Projekti i detajuar i Qendrës, tashmë i financuar nga buxheti i shtetit, pritet të jetë gati deri në fund të vitit dhe parashikon hapësira, që do ta afrojnë brezin e ri me artin dhe kulturën, leximin, por edhe me natyrën. Do të edukohen me ndjenjën e përgjegjshmërisë për ruajtjen e ambientit dhe me ndjenjën e solidaritetit, e pranimit të tjetrit, tolerancës.

Ajo çka ne duhet të bëjmë është të ndërtojmë qytetarët e së nesërmes, qytetarët e të gjithë botës.

  • Një operacion të vështirë, por me një rëndësi madhore për artin është edhe dyfishimi i hapësirave të Galerisë Kombëtare të Arteve, që sipas Ligjit të Trashëgimisë kthehet në Muze të Arteve të Bukura. Do të ketë dyfish hapësira për fondin e veprave të artit, dyfish hapësira ekspozimi, edukimi për të rinj; do të ketë laboratorë restaurimi e hapësira për forimin e profesionistëve të rinj. Dhe mbi të gjitha krijimi i kushteve të favorshme për ruajtjen e veprave të artit, modernizim të të gjitha ambienteve, që do të reflektojnë kulturë dhe do të jenë të denja për të pritur emra të mëdhenj artistësh. Shumë shpejt pritet të nisë puna, duke i kthyer shkëlqimin godinës ekzistuese dhe këtij institucioni të rëndësishëm.
  • Po me aq padurim sa pritëm Teatrin Kombëtar të Operës dhe Baletit, po presim edhe rindërtimin e Teatrit Kombëtar, në të njëjtën hapësirë ku ngrihej dikur, por me ndryshim që do të ofrojë shumë më shumë hapësira për artistët dhe publikun; hapësira të denja jo vetëm për artistët tanë, por edhe për ata të huaj, që deri më sot ngurronim t’i ftonim sepse teatri ynë i vjetër nuk ofronte kushtet më minimale skenike. Bashkë me Galerinë Kombëtare të Arteve do të krijojë një pol të rëndësisëshëm ku do të gjallojë kulturë dhe dinjitet.
  • Nga ana tjetër ne synojmë ndërtimin e të tjera poleve kulturore, duke e shpërndarë vëmendjen nga qendra drejt periferive, ku ka të tjera energji krijuese.

Ndërtimi i Parkut të Artit, në zonën e ish-Kinostudios, një bashkëfinancim me BE po ashtu synon krijimin e një poli të tillë, një hapësire social-kulturore që do të shërbejë për bashkëveprim dhe zhvillime inovative kulturore nëpërmjet një platforme të qëndrueshme. Një hapësirë në shërbim të komunitetit lokal, por dhe komunitetit të artistëve, të fëmijëve, por edhe profesionistëve; të atelieve të artit, por dhe hapësirave argëtuese e shlodhëse.

Projekti është në përputhje me fokusin mbi Rininë që vendos programi Shqipëria 2030, është një hallkë në vazhdim të politikave mbështetëse “Arsimi i gjeneratës së re” dhe është projekti me i ndërlidhur me prioritetet e Neë European Bauhaus.

  • Për të shkuar drejt Vlorës, te Muzeu i Hebrenjve, si dëshmi i bashkëjetesës dhe e një historie të patëdytë, për të cilën ne shqiptarët jemi padyshim krenarë. Një muze, si pjesë e Qendrës Historike të Vlorës, që e rikthyem në jetë dhe e nxorrëm nga pluhuri si një thesar të çmuar, që do të tregojë se si një popull i vogël mund të ndërmarrë një akt të paprecedent; që do të kthehet në një magnet turistik e kulturor rajonal. Puna tashmë ka filluar dhe mbështetja dhe energjia positive na vjen edhe që përtej oqeanit, në një bashkëpunim të shkëlqyer me partnerin tonë AADF.

 

Nga institucionet e kujtesës vijmë te ato më të prekshme. Programi Art & Zeje (Lab Art) synon krijimin e laboratorëve artistikë dhe të zejtarisë për 100 shkolla. Ngritja e ‘LabArt’, që do të përfshijë edhe lidhjen me teknologjinë, platformën e-learning, muzetë virtualë, video tutoriale për fëmijë online dhe në televizion. Do të krijohen e hapësira të dedikuara edukative dhe argëtuese për fëmijë në site, muze dhe institucione arti; i kurrikulave sipas grup moshave te ndryshme për të përcjellë dije bërjen e zejeve nëpër shkolla, duke shfrytëzuar aftësitë kreative të studentëve.

-II-

Kur pas tërmetit të 26 nëntorit 2019, të gjithë ne ishim duke vuajtur pasojat e një tragjedie, Shqipëria mori një notë besimi. Vetëm për ringritjen e monumenteve të kulturës, Bashkimi Europian, përmes programit madhor EU4Culture, akordoi një shumë të paprecedentë prej 40 milionë eurosh. Një program që tejkalon ringritjen dhe mbylljen e plagëve të tërmetit, por edhe rijetëzim, për t’u dhënë jetë dhe për t’i bërë një nxitëse mirëqënieje për komunitetet lokale; që të mos jenë thjesht thithëse fondesh, por ndihmuese në përmirësimin e ekonomisë të të gjithë atyre që bashkëjetojnë me këto monumente. Një program që shtrihet nga Rubiku, në Kavajë, në Durrës, Tiranë, Krujë etj., në kala, shtëpi-monument, ura, kisha, muze..

Pa harruar ndihën e Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe partnerëve të tjerë, që na u bashkuan në procesin e rimëkëmbjes. Me SHBA, sapo kemi firmosur edhe një marrëveshje bashkëpunimi për parandalimin e trafikut të trashëgimisë kulturore, duke vendosur një tjetër standard jo vetëm në bashkëpunimin mes dy vendeve por edhe në ruajtjen e trashëgimisë kulturore, duke treguar gatishmërinë tonë të plotë për t’u përfshirë në një aksion që I tejkalon kufijtë e Shqipërisë.

Do të veçoja bashkëpunimin e shkëlqyer me partnerët e huaj me fokus jo vetëm në ruajtjen e identitetit tonë kombëtar, të bashkëjetesës fetare, jo vetëm si element identifikues i shqiptarisë, i ruajtjes e përcjelljes së vlerave brezave, por edhe për atë pjesë të turizmit kulturor që i ka rrënjët në politikat e mbështetjes së komuniteteve, të cilat janë përfituese direkte të nismave që tingëllojnë të vogla e të panevojshme për sytë e veshët jo vizionarë, por që koha e ka treguar se si kjo qeveri lidh në mënyrë kapilare në territor e në qasjet e saj ndërministrore nevojën dhe ambicien e rritjes së ekonomisë familjare, e cila natyrshëm bëhet pjesë e ekonomisë “së madhe”.

  • Ndërkohë që një ndërhyrje e rëndësishme pritet të nisë në Durrës, ku ndërthuren projekte të rëndësishme, që nga ringritja pas tërmetit, tek rijetëzimi i monumenteve, te nxjerrja në dritë e monumenteve të rëndësishme, që nga amfiteatri te muret antike, Kulla Veneciane, ngritja e TID Durrës.. Të gjitha këto si një pjesë integrale e një ndërhyrjeje edhe më të thellë në qytetin e Durrësit, që do ta shndërrojë atë nga një qytet-port në një Portë kulturore e turistike.

Por për të çuar përpara projektet tona ambicioze, na duhen profesionistë të mirë, ndaj edhe këtë process ringritjeje dhe rijetëzimi nuk mund ta shohim asesi të shkëputur nga formimi I një brezi të ri specialistësh, ndaj do të ngrejmë Qendrën Rajonale në Konservim dhe Restaurim “Shkollë – Kantier”, që do të krijohet nën shembullin e ekselencës italiane (“Instituto Centrale per il Restauro & Scuola di Alta Formazione e Studio” (CNR), organi teknik i specializuar i formimit profesional të Ministrisë për Trashëgiminë Kulturore në Itali).

Dhe fokusi i QRKR do jetë formimi profesional në restaurimin dhe konservimin e veprave të artit dhe trashëgimisë kulturore, me autonomi shkencore, financiare dhe organizative.

-III-

Ne do të synojmë Ballkanin e hapur kulturor, që synon bashkëpunimin rajonal kulturor që synon forcimin e dialogut, shkëmbimit kulturor dhe krijimin e një tregu të përbashkët ballkanik si artistik ashtu edhe të industrive krijuese.

  • Ne synojmë të shkojmë drejt mobilitetit të profesionistëve të rinj, të nxisim konkurrencën ndërkombëtare; të ngrejmë fonde të përbashkëta për bashkëprodhime kinematografike e teatrale rajonale, duke synuar krijimin e një tregu të përbashkët kinematografik e teatror; të krijojmë platforma të përbashkëta për mallrat kulturorë.
  • Do të luftojmë fort për një treg të hapur të librit ballkanik, angazhime për politika që i japim më shumë vëmendje autorëve, përkthyesve si dhe shtëpive botuese.

Po ashtu do të sigurojmë mbrojtjen e të drejtave autoriale për autorët e vendeve të Ballkanit Perëndimor.

Të nderuar,

Programi ynë 4-vjeçar është shumë më ambicioz dhe i detajuar sa kaq. Ajo që ne synojmë është të ndryshojmë mendësinë se kultura I përket prapavijës, se në jetën e njerëzve ka një rëndësi dytësore.

Jo, ajo që ne ngulmojmë fort është që: pa kulturë nuk ka të ardhme!