Ministria e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit

Fjala përshëndetëse e Ministres së Kulturës, Elva Margariti në ceremoninë e fillimit të punimeve për ngritjen e Qendrës Kombëtare Kulturore për Fëmijë

E kemi pritur prej kohësh këtë ditë!

Një ditë, ku ne përbushim një premtim dhe shlyejmë një borxh ndaj vetvetes dhe fëmijëve tanë.

Ndryshe nga “ca të tjerë”, që kulturën e trajtonin si xhepin e vogël në astarin e xhaketës së vjetër, ku fusnin ndonjë lek për kafe qeveritë “Rama” kanë treguar se kulturën e ka prioritet, me bindjen e plotë se pa kulturë nuk ka të ardhme!

Ishte kjo qeveri që ndërmori investime madhore, që askush nuk i kishte ndërmarrë për dekada: rikonstruksonin total të Teatrit Kombëtar të Operës dhe Baletit, Piramidës, Sallës historike të Koncerteve në Universitetin e Arteve; që po rikonstrukton Galerinë e Arteve, Muzeun Historik Kombëtar; po mban premtimin e dhënë për ngritjen e një Teatri të ri, dinjitoz Kombëtar; po ringre monumentet e rrënuara nga tërmeti, po promovon trashëgiminë tonë shpirtërore kudo në botë, siç bëri me xhubletën… e shumë e shumë kantierë e nisma që kulturën nuk e trajtojnë si një dekor, por si një e mirë publike.

Ndërkohë që e vetmja “nismë madhore” që “disave” do t’u mbetet përjetësisht në histori, për “gjigantizmin” e idesë dhe “vizionin e patëdytë” ishte zaptimi i çdo hapësire publike, sheshe, oborre, kënde lojërash, fusha sporti… dhe mbushja me kërpudha kioskash, që u shtuan aq shumë, saqë një ditë ndjemë që qyteti nuk na përkiste më.

Ky ishte vizioni i tyre për raportin e individit me hapësirën publike… Por ky është një kapitull i mbyllur tashmë, por i ngulitur thellë në memorjen e çdonjërit prej nesh.

Sot përpiqemi t’i japim publikut dhe artistëve sa më shumë hapësira të denja… Asnjëherë më parë Tirana nuk ka pasur kaq shumë kantierë të hapur njëkohësisht.

E megjithatë, edhe investimet që ne po bëjmë, dhe nuk ndalen këtu, nuk do të kishin asnjë kuptim nëse nuk do të investonim te artistët dhe spektatori i së ardhmes; te fëmijët tanë që do të ngjiten në skenë për të performuar apo që do të mbushin sallat për të shijuar artin.

Dhe sot është dita që materializojmë një nga ëndrrat tona si fëmijët e dikurshëm, ëndrrat e fëmijëve tanë, të mësuesve, artistëve, që gjithnjë dëshiruan të kishin një qendër ku të kishin edhe lojën, edhe edukimin, edhe teatrin, edhe palestrën, edhe poçerinë, kopështin ku të mësonin të mbillnin dhe t’u gëzoheshin fryteve të tokës…

Sot vendosim gurin e themelit të një qendre dinjitoze, në këtë kënd të Tiranës, ku po hedh shtat një pol i ri kulturor, një zinxhir vijimësie mes brezash, që nga fëmijët, te studentët dhe artistët e së ardhmes…

Një qendër që mendon për fëmijët, mësuesit, por edhe prindërit, që do të kenë hapësirat e tyre të dedikuara.

Nëse do të mbledhim metrat katrorë të Qendrës aktuale Kombëtare Kulturore të Fëmijëve (që me siguri përveç atyre që punojnë aty dhe prindërve që çojnë fëmijët në kurse, askush nuk e di) dhe Teatrit të vjetër të Kukullave, sipërfaqja dedikuar fëmijëve, sot është vetëm 1400 m2 (600+800 m2).

Ndërsa qendra e re do të ketë rreth 5500 m2.

Një qendër mes gjelbërimit, pranë Parkut të Liqenit, ku nuk do të ketë vetëm një Teatër Kukullash. Është e vërtetë se çdokush e lidh fëmijërinë me kukullat dhe me një godinë specifike, pranë qendrës, që ka një histori shumë më të thellë dhe më simbolike se shfaqjet e fëmijërisë sonë.

Është godina ku mori jetë parlamentarizmi shqiptar e diktatori e pagëzoi si një teatër kukullash, si për të qesëndisur ata burra zotërinj, që sipas tij nuk ishin veçse ca marioneta te historisë.

Ndaj ajo godinë që ne sot po e rikonstruktojmë do të duhet të rrëfejë historinë e saj, por të shërbejë edhe si një qendër kulture e dialogu mes brezash.

Teatri i ri nuk do të ketë vetëm një sallë shfaqjesh, por edhe salla provash e të gjithë infrastrukturën e duhur për një teatër të vërtetë.

Ashtu siç do të ketë edhe sallat ku fëmijët të ushtrojnë talentet e tyre në muzikë, arte pamore dhe një shumësi zhanresh, që do t’ua bëjnë fëmijërinë më të bukur dhe do t’i orientojnë drejt së ardhmes. Por nga ana tjetër, nuk mjafton vetëm talenti.

Në këtë qendër fëmijët do të mësojnë se si të jenë socialë, tolerantë, të duan dhe pranojnë “tjetrin”, “të ndryshmin”; të rriten me vlerat më të mira shqiptare.

Një vit më parë Tirana ishte Kryeqyteti Europian i Rinisë, ndërsa këtë vit i Sporteve. Nuk e kishim parë kurrë Tiranën më të bukur dhe të gjallë.

Jam e bindur që Erioni dhe stafi i tij energjik do ta mbajnë gjallë këtë frymë jo vetëm përmes aktivitetesh, por duke i dhënë kryeqytetit më shumë terrene sportive dhe hapësira për fëmijët.

Ne duam të rrisim qytetarë të mirë dhe të lirë!

Ky është investimi që ne bëjmë për të ardhmen, me bindjen se ajo u takon fëmijëve!