Ministria e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit

Fjala përshëndetëse e Ministres së Kulturës, Elva Margariti në ceremoninë e shpalljes së konkursit ndërkombëtar për projektin e ngritjes së Muzeut “Besa”

I nderuar z. Kryeministër,

Miq e të ftuar,

Nuk e teproj nëse them se 15 shkurti është një ditë historike për kulturën.

Pak orë më parë vumë gurin e themelit për ngritjen e Qendrës Kombëtare Kulturore për Fëmijë dhe tani jemi sërish së bashku për të shpallur konkursin ndërkombëtar për ngritjen e Muzeut të Besës.

Teksa kemi ndezur të gjithë motorët për të kapur kohën e humbur e për t’iu bashkuar familjes së madhe europiane, për asnjë moment nuk kemi harruar se në atë derë do të hyjmë si shqiptarë.

Nuk mjafton të jemi “shembullorë” e të përmbushim ca detyrime, por të jemi NE, një popull kaq unik, me shpirt e zemër të madhe, plot energji e dëshirë për të ecur përpara.

Ne do të hyjmë në Europë duke dhënë BESËN, se me të vërtetë e meritojmë këtë familje për vlerat që na kanë trashëguar dhe do t’ia përcjellim fëmijëve tanë.

Sot jemi mbledhur për t’i hapur udhë ngritjes së një institucioni të prekshëm për diçka të paprekshme, dhe jam e bindur që do të jetë një muze unik, rezultat i një sfide të jashtëzakonshme për projektuesit.

Kur përkthyesit e veprave të Kadaresë apo të teksteve ku flitet për besën duhet të kthenin në gjuhën e tyre këtë fjalë, e kanë pasur të pamundur. I janë qasur me shpjegime, deri diku të afërta, por pa mundur të shprehin deri në fund peshën dhe kumtin që mbart kjo fjalë. Ndaj edhe ajo është thjesht dhe shqip: BESA!

Të japësh apo të lidhësh BESËN, është më shumë se një fjalë e mbajtur; më shumë se një akt juridik; më shumë se një ligj.

Ajo është qeliza nistore; është Fjala; e para, ashtu si në Bibël.

Ajo lind me shqiptarin e përcillet si frymë nga brezi në brez, si virtyt jo thjesht i një individi, por një populli;

Një detyrim moral, që këmbehet vetëm me jetë.

Ndaj edhe në Malësitë tona, besa lidhej mbi atë çka ishte më e shtrenjtë: mbi gurin, mbi kryqin dhe Ungjillin, dhe mbi kokën e djemve;

Mbi gurin që do t’i vihej mbi varr, mbi besimin në Zot dhe mbi vijimësinë e gjakut.

Në baladën e Kostandinit dhe Doruntinës e ëma plakë e nëmi Kostandinin tek prehej në banesën e fundme, sepse kishte thyer besën. Mallkimi i besës kapërceu botët dhe Kostandini u çua nga varri: guri i varrit u bë kalë i zi si nata; dheu u bë shalë dhe rrotulla që mbante gurin u bë fre i argjendtë.

Kaloi nga vdekja në jetë, madje troku i kalit të tij vazhdon të kapërcejë shekujt, për ta na sjellë deri në ditët tona një kumt të shenjtë, atë të mbajtjes së besës së dhënë.

Ka një dimension sa madhështor, solemn aq edhe tragjik, gdhendur në muret e Rozafatit, në kullat e Veriut, kënduar në lahutë e nderuar në himnin kombëtar.

Dhe nuk ka asnjë më të jashtëzakonshme dhe më sfiduese se sa t’u flasësh të huajve, por mbi të gjitha brezit të ri, fëmijëve tanë, që ndoshta besa mund t’i duket si një rudiment arkaik i kohës së Kostandinëve, për një vlerë kaq unike, që populli ynë e ka treguar në rrjedhën e historisë: në pritjen, besnikërinë, bujarinë ndaj mikut, por edhe në sakrificën më sublime, në mbrojtje të jetës së të pambrojturve, atyre që në ditët e tyre më të errëta trokitën në dyert e zemrave të shqiptarëve.

Një histori që na vjen që në shekujt e parë pas Krishtit me hebrenjtë që ngritën sinagogat në Shqipëri, te shpëtimi nga krematoriumet naziste të Luftës II Botërore, deri te afganë e ukrainas, që kanë këtu gjithnjë një atdhe.

Për të ngritur një hapësirë tërësisht shqiptare kemi përzgjedhur një banesë-monument kulture të kategorisë I, që ndodhet në një zonë historike, e cila do të restaurohet dhe rijetësohet.

Një strukturë e re, moderne do t’i bashkëlidhet si në një dialog të përhershëm mes së shkuarës, së tashmes dhe së ardhmes. Sepse do të ishte shumë pak të mendonin thjesht një muze. Kjo hapësirë e re duhet të jetë një vend dialogu, ku brezat të japin e të marrin; ku të parët tanë na përcjellin vlerat më të mira të shqiptarit me ritmin dhe gjuhën e së sotmes. 

Edhe vetë kjo godinë është një pjesë e historisë këtij qyteti dhe nga njëra anë kjo ndërtesë dhe nga ana tjetër struktura e re do të jenë në një simbiozë që i japin vlerë njëra-tjetrës.

Kjo, patjetër shton vështirësitë për projektuesit, të cilët duhet të ruajnë monumentin, karakteristikat e saj arkitektonike, si dhe në respekt të hapësirës përreth, që është një nga zonat më të frekuentuara të qytetit nga shqiptarë e vizitorë të huaj.

“Besa” duhet të jetë një nga hallkat e zinxhirit kulturor që nis me Teatrin e Operës dhe Baletit, vijon me Teatrin e Kombëtar, Muzeun e Arteve të Bukura për të vijuar me këtë muze dhe Kalanë e Tiranës.

Fakti që në këtë hapësirë kulturore do të ngrihet një godinë e firmosur nga Bjarke Ingels, besoj se është një arsye më shumë pse arkitektë të njohur duhe të vihen në garë për këtë muze.

Tirana me shumështresëzimet e veta çdo ditë e më tepër po kthehet në një magnet për studio të famshme të arkitekturës dhe nuk do të jetë e largët dita, kur ky qytet do të ketë edhe një turizëm të lidhur specifikisht me arkitekturën.

Zor se gjendet një qytet tjetër me këtë larmi stilesh dhe me këtë dinamikë zhvillimi si Tirana.

Kjo duhet të nxisë ambicien e arkitektëve, për të realizuar një projekt unik.

Konkursi ndërkombëtar do të zhvillohet në dy faza.

Në të parën aplikuesit shprehin interesin, prezantojnë dosjen e tyre, eksperiencat, ekipin, me një përbërje të larmishme me projektues, arkitektë, kuratorë…, por edhe një projektide. Prej tyre do të selektohen 5 më të mirët, që do ta çojnë projektidenë e tyre në një nivel më të detajuar.

E patjetër në fund do të dalë edhe një fitues, që do të na japë një muze për Besën, që do të jetë edhe një arsye më shumë për të vizituar Shqipërinë. Një magnet që do të thithë vizitorë dhe studiues dhe si në një reaksion zinxhir do të gjenerojë mirëqënie.

Faleminderit!