Ministria e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit

Arkivi Qendror Shteteror i Filmit organizon Fokus: Viktor Gjika – një program i kuruar në kuadër të TIFF – Tirana International Film Festival.

Katër filmat do të shfaqen të projektuara në 35mm dhe të subtitruara në anglisht, falë edhe ndihmës së Projektit të Kinemasë Shqiptare – ACP, që vjet i dhuroi lenten e projektorit AQSHF-së gjatë punëtorisë Archives In Motion.

Viti 2017 shënon atë që do të ishte ditëlindja e 80-të e regjisorit shqiptar Viktor Gjika (1937-2009). Me këtë rast, TIFF do të paraqesë katër nga veprat e tij më të njohura në gjininë e filmit artistik, ashtu siç meritojnë të shihen, në ekran të madh dhe të projektuara në 35mm në sallën e kinemasë në AQSHF (Arkivi Qendror Shtetëror i Filmit).

Këto katër tituj; RRUGË TË BARDHA (1974), I TETI NË BRONZ (1970), NË ÇDO STINË (1980) dhe NJERIU ME TOP (1977), përfaqësojnë aftësitë e padiskutueshme të Gjikës për të bashkëpunuar me disa nga skenaristët, kinematografët dhe aktorët më të shquar të epokës së Kinostudios “Shqiperia e re”. Secili prej tyre ka një kontribut të vazhdueshëm dhe nganjëherë kontrovers në kinematografinë e këtij vendi. Puna e Viktor Gjikës si përcaktuese e zhanrit të filmit artistik dhe kryesisht e panjohur jashtë kufijve Shqipërisë, ende diskutohet nga kritikët e kinemasë të cilët përpiqen të kuptojnë nocionet komplekse të artit dhe kulturës në Shqipëri gjatë pesëdhjetë viteve të diktaturës.

I lindur në qytetin jugor të Korçës, ‘Parisit të Vogël’ të Shqipërisë, Viktor Gjika u rrit i mrekulluar nga shfaqjet e filmave në kinemanë e qytetit të tij, Majestic (salla më e madhe në Ballkan në atë kohë). Gjatë viteve 1950, kur Shqipëria ishte në sferën e ndikimit sovjetik, Gjika përfundoi studimet në Institutin e Kinemasë VGIK në Moskë. Një film i shkurtër (që fatkeqësisht tani nuk gjendet më në arkiva), ASKUSH KURRË NUK VDES, i xhiruar nga Gjika dhe Dhimitër Anagnosti për regjisoren estoneze Leida Laius, u nderua me Çmimin e Madh në Festivalin Ndërkombëtar të Filmit për Punët Studentore në Lodz të Polonisë në vitin 1960.

Gjatë gjithë jetës së tij artistike, Gjika realizoi pesëmbëdhjetë filma artistikë dhe njëzet e gjashtë dokumentarë. Gjika filloi karrierën e tij si kameraman në filmin e Hysen Hakanit DEBATIK (1961) dhe DETYRË E POSAÇME të Kristaq Dhamos (1963). Pas realizimit të një sërë dokumentarësh, Gjika u kthye në regji me filmin KOMISARI I DRITËS (1966), duke mbajtur për dy dekada një nga shtyllat e kinemasë komuniste shqiptare. Për shumë shqiptarë, tituj të njohur si HORIZONTE TË HAPURA (1968), YJET E NETËVE TË GJATA (1972), GJENERAL GRAMAFONI (1978) janë kthyer në pika referimi kolektive për të rinjtë apo për më të vjetrit, duke anashkaluar kështu ideologjinë ndonjëherë të rëndë të pranishme në këto filma.

Në vitin 2012, Projekti i Kinemasë Shqiptare, një iniciativë e themeluar për të sjellë vëmendjen në trashëgiminë e rrezikuar filmike shqiptare, ka punuar me kompaninë amerikane Colorlab për të financuar restaurimin e filmit NËNTORI I DYTË (1982) të Viktor Gjikës. Një nga më të kushtueshmit të realizuar në epokën e Kinostudios, ky film është një kronikë e gjerë mbi luftën e shqiptarëve për pavarësi. Premiera e filmit të restauruar pati një shfaqje triumfuese në Tiranë në njëqindvjetorin e ngjarjeve të përshkruara në epikën e Gjikës.

 

PROGRAMI:

E Hënë, 6 nëntor 2017, ora 17.30

RRUGË TË BARDHA (1974), 81’

Bonus! Një shfaqje surprizë nga fondi i filmave të huaj

E Martë, 7 nëntor 2017, ora 17.30

I TETI NË BRONZ (1970), 95′

E Mërkurë, 8 nëntor 2017, ora 17.30

NË CDO STINË (1980), 73’

E Enjte, 9 nëntor 2017, ora 17.30

NJERIU ME TOP (1977), 86’

 

Nga data 6 – 9 nëntor, ora 17:30,

Vendi: në kinemanë e AQSHF-së, Rr. Aleksandër Moisiu Nr. 76/1, Tiranë{:}