Ministria e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit

Kur hyn në hollin e ndërtesës, aroma e pagabueshme e letrës të drejton drejt sallave të mbushura me libra.

Në bibliotekën e vjetër të Tiranës, ashtu si njihet nga vendalinjtë, duket sikut futesh në një tjetër botë. Mure të veshura me libra të bukur, shumë të bukur. Kopertinat dëshmojnë se shumë syresh e kanë mbushur shekullin. Janë në gjuhën frënge, angleze, gjermane, italiane.. Kultura europiane është aty. Drejtori i ri Bibliotekës, Piro Misha ka angazhuar të gjithë stafin për organizimin e librave dhe krijimin sallave të reja të leximit, sipas gjuhëve, dhe punonjësit hyjnë e dalin me maska e doreza të bardha e dëngje librash në duar.

Pikërisht aty ndodhet edhe këndi i restaurimit. Do të ishte e tepërt ta quanim “laborator”, megjithatë kushtet e limituara nuk e pengojnë Gentiana Bërxollin të punojë plot pasion për restaurimin e librave, një zanat i rrallë, të cilin pak po e përqafojnë. Qasja e saj me këtë profesion është shtyrë më së shumti nga dashuria për librin, por edhe studimet e kryera.

“Kam studiuar në Universitetin e Arteve, për pikturë dhe librin e pash shumë pranë profilit tim nga ana artistike, përpos që kam punuar edhe në shtëpi botuese si dizajner. U bënë 4 vjet e gjysmë që punoj këtu”, thotë ajo. Si fillim nisi punën në libërlidhje dhe me kohë mësoi edhe procese të tjera që lidheshn me restaurimin e librit.

Të punosh si restauruese librash në Bibliotekën Kombëtare, ku ruhen vlera të jashtëzakonshme dhe me mijëra libra është gati-gati e guximshme. Të restaurosh një libër është një proces i gjatë dhe me të ” papritura” rrugës.

“Pas evidentimit të gjendjes fizike të librit, fillon procesi i pastrimit. Kryhet procesi i shqepjes së librit, i larjes, nëse është i nevojshëm, matjes së pehashit të letrës, i thajmë dhe shohim nëse kanë nevojë për përforcime me letrën japoneze, presimi i fletës në presë, për të vijuar me procesin e qepjes dhe vendosjen e kapakëve”, tregon Gentiana, ndërsa në duar ka një tjetër libër në gjuhën frënge që po restauron.

“Kohëzgjatja e një riparimi varet nga dëmtimi i librit dhe sa punë të hapet gjatë rrugës. Shpesh na ka ndodhur që duke punuar te hasim në të tjera probleme”. Sipas saj, në faktorët që çon në dëmtimin e një libri ndikon shumë ambienti në të cilin ruhet, temperatura, proceset biologjike dhe atmosferike, vjetërsia e letrës.. Ajo mban në duar libra shekullorë, ndaj dhe përgjegjësia është shumë e madhe. “Janë të gjithë shumë të rëndësishëm, sidomos antikuarët. Punojmë shumë me librin e shek. XIX, por edhe atë të fillimshekullit XX. Nga kjo periudhë kemi shumë periodikë, që paraqesin edhe një shkallë të lartë dëmtimi për shkak të kohës dhe përdorimit. Duhet të bëjmë shumë kujdes pasi letra kalon edhe procesin e vetëdjegies dhe thyerjes, ndaj edhe ne I përforcojmë përmes letrës japoneze apo laminimit”, shton restauratorja, e cila na tregon një gazetë të viteve ’20, në proces restaurimi.

Nga mënyra se si prek faqet e librit dhe i pastron ato, ndihet një lloj dhembshurie, por dhe përgjegjësie që ata të mund t’u përcillen brezave. Sigurisht për të është e domosdoshme ngritja e një laboratori dhe futja e një teknologjie bashkëkohore, për të zëvendësuar procese që për momentin kryen në mënyrë manuale, si procesi i laminimit, që ende kryhet me hekur.

Por erërat duken të mbara dhe me gjasë Biblioteka Kombëtare do ta ketë së afërmi një laborator të ri. Por ndërkaq, Gentiana vazhdon punën mes librave shekullorë, nga ku gjallojnë histori, personazhe, gjuhë nga vende të ndryshme të botës..