Ministria e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit

“Gjenerata e Inovacionit” është një program novator që synon fuqizimin real të të rinjve shqiptarë, duke i vendosur ata në qendër të proceseve të reformës publike dhe transformimit shtetëror. Ky projekt krijon një hapësirë të re bashkëpunimi, ku idetë e guximshme dhe vizionare të të rinjve mund të shndërrohen në zgjidhje konkrete për përmirësimin e shërbimeve publike dhe jetës së përditshme të qytetarëve.

Gjatë fazës së parë të mentorimit, të zhvilluar përpara drejtuesve të lartë të Administratës Publike, u prezantuan 11 ide inovative për zbatim të drejtpërdrejtë në sistemin administrativ, si dhe 3 ide për startup-e me potencial zhvillimi dhe ndikim social. Këto propozime janë një tregues i qartë se të rinjtë shqiptarë jo vetëm kanë aftësi dhe kreativitet, por janë të gatshëm të angazhohen në mënyrë aktive për të ndërtuar një të ardhme më efikase dhe transparente.

Ftojmë të gjithë të rinjtë nga e gjithë Shqipëria, nxënës të moshës 15-18 vjeç, studentë 19-24 vjeç dhe profesionistë të rinj 25-29 vjeç – të bëhen pjesë e këtij programi unik dhe të kontribuojnë me idetë e tyre për të frymëzuar një valë të re inovacioni në Administratën Publike dhe në vendin tonë.