Ministria e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit

 

Me rastin e 15-vjetorit të përfshirjes së Gjirokastrës në listën e trashëgimisë kulturore botërore, nën mbrojtjen e UNESCO-s, Ministria e Kulturës organizoi një mbrëmje të veçantë në Kalanë e Argjirosë.  Edhe pse në kushte pandemie dhe me një numër të kufizuar të ftuarish, u përcoll mesazhi i vazhdimësisë dhe i promovimit të kulturës dhe traditës sonë. Personalitete të pushtetit lokal, përfaqësues të Kuvendit të Shqipërisë, përfaqësues të trupave diplomatike në Tiranë, ishin të pranishëm në këtë aktivitet.

Mbrëmja ishte konceptuar në formën e një koncerti dhe falenderimi për të gjithë ata, që përgjatë viteve kanë kontribuuar në përcjelljen e traditave më të mira të Gjirokastrës. Këngëtarja Vikena Kamenica dhe balerinët Enada dhe Gerd Vaso krijuan një atmosferë magjike në skenën e gurtë. Por mbrëmja nuk mund të kuptohej pa polifoninë, përfaqësuar nga grupi “Argjiro”.

Nuk mungoi edhe ekspozimi i traditave më të mira gjirokastrite, që nga kulinaria, artizanati, gurëgdhendja, veshjet popullore, të cilat u prezantuan në formën e një ekspozita në ambientet e Kalasë.