Ministria e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit

[metaslider id=4032]

Shtëpia e lindjes së shkrimtarit Ismail Kadare, në Gjirokastër hapi dyert për vizitorët, shqiptarë dhe të huaj, tashmë si një objekt tërësisht i rindertuar.

Me statusin e Monumentit të Kulturës, shtëpia në lagjen “Palorto”, vjen në 80 vjetorin e lindjes së Kadaresë, e rindertuar me mbështetjen teknike dhe financiare të UNESCO-s dhe Ministrisë së Kulturës.

Kjo shtëpi është listuar si një nga objektet më të vizitueshme gjate sezonit turistik të kaluar edhe pse ka qenë në restaurim. Nga trajtimi arkitektonik, banesa është cilësuar si një ndër më të arrirat dhe në pozicionin më dominues, përkrah edhe mjaft objekteve të tjera me vlerë.

Tani shtëpia Kadare do të jetë një qendër kulturore që do të menaxhohet në bashkëpunim nga bashkia e Gjirokastrës dhe Ministria e Kulturës, si një rezidencë, një vend ekspozitash e muzike.

Kryeministri Edi Rama, Kryetari i Parlamentit Ilir Meta, si dhe Ministrja e Kulturës Mirela Kumbaro, morën pjesë në ceremoninë e organizuar ku të pranishëm ishin dhe Kryetarja e Bashkisë së Gjirokastrës Zamira Rami, familjarë dhe të afërm të shkrimtarit Ismail kadare, si dhe personalitete të kulturës, në vend.

Të gjithë ishin miq në Odanë e Madhe të shtëpisë, ku ndër të tjera ishin të ekspozuara edhe objekte origjinale të shtëpisë së Kadaresë, mes të cilave djepi i lindjes, mangalli i shtëpisë dhe një sënduk.

Kryetarja e Bashkisë Zamira Rami, duke uruar mirëseardhjen, lexoi letrën përshëndetëse të shkrimtarit Ismail Kadare, i cili ruan një mirënjohje të veçantë për qytetin e lindjes.

Ministrja e Kulturës Mirela Kumbaro, u shpreh se kjo shtëpi me vlera muzeale është një qendër e rëndësishme kulturore, jo vetëm për Gjirokastrën “Këtë shtëpi ia kanë dhuruar shumë bujarisht Ministrisë së Kulturës, publikut për ta ndarë me të gjithë, jo vetëm me Gjirokastrën. Është një shtëpi që nuk ishte ndërtuar kështu që është sot. Në vitin 2000, ajo u dogj dhe me një kontribut shumë të rëndësishëm të UNESCO-s dhe shtetit shqiptar, shtëpia u rindërtua.”

Ndërsa Kryetari i Parlamentit Ilir Meta e vlerësoi shtëpinë e Kadaresë, si një institucion të rëndësishëm kulturor, që do ti japë Gjirokastrës një tjetër dimension. “Dua të falënderoj shumë Ministrinë e Kulturës, qeverinë dhe bashkinë e Gjirokastrës për këtë përkushtim që kanë treguar dhe që më në fund kanë sjellë një institucion kaq të rëndësishëm kulturor që nuk është vetëm gjirokastrit, nuk është vetëm shqiptar, por është europian, ndërkombëtar dhe që do t’i japë një tjetër dimension tjetër edhe qytetit të Gjirokastrës. Padyshim përsa i takon kësaj dite të rëndësishme, këtij momenti të rëndësishëm, të gjithë ndihemi krenarë për arsyen sepse Kadare përfaqëson kulturën e kombit tonë, identitetin e tij europian”

Një ditë të shënuar, e cilësuan familjarët e shkrimtarit, çeljen e shtëpisë për vizitorët. Shahin Kadare, vëllai i shkrimtarit u shpreh i impresionuar për këtë rikonstruksion dhe tha se shtëpia dhe qyteti i lindjes ka lënë gjurmë të veçanta në veprën e Kadaresë.

Duke marrë fjalën,

“Ne jemi sigurisht të kënaqur që mundëm që falë punës këmbëngulëse të ministres dhe kryetares së bashkisë, të çelim dyert e kësaj shtëpie me rëndësi të madhe për kujtesën historike të Gjirokastrës, por edhe të vetë kombit shqiptar. Por do të vazhdojmë me fazën tjetër, sepse shtëpia ka nevojë të popullohet me librat e Ismailit, me dorëshkrime dhe sende personale. Unë kam folur edhe me Helenën, që është gjysma më e mirë e Ismailit, për të shtuar edhe një bibliotekë me librat e shkrimtarëve të dashur për Ismailin, në mënyrë që shtëpia të mos jetë thjeshtë një muze, por të jetë një mjedis i gjallë, që të rrijë hapur, të tërheqë njerëz, jo vetëm për ta vizuar, por edhe për të studiuar e lexuar. Pra edhe një bibliotekë unikale në Shqipëri dhe mbase jo vetëm në Shqipëri, por për të gjithë dashamirësit e letërsisë. Jam i bindur se do ta realizojmë me sukses edhe këtë fazë. Ministrja dhe kryetarja e bashkisë e ka nisur punën me një arkitekte të njohur.”

Më pas, kryeministri Edi Rama dhe pjesëmarrësit, të shoqëruar nga Arkitekti Agron Doraci, vizituan hapësirat e rindertuara të shtëpisë, dhe në mbyllje lanë mbresat e tyre në librin e përshtypjeve.{:}