Ministria e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit

[metaslider id=7232]

Ministrja e Kulturës së Shqipërisë, Mirela Kumbaro, merr pjesë në hapjen e Panairit të 16-të të Librit, Prishtina 2014, e cila vlerësohet si ngjarja më e madhe e librit.

Panairi i 16-të do të mbahet nga data 3-8 qershor 2014 në ambientet e Pallatit të Rinisë, organizuar nga Shoqata e Botuesve të Kosovës.

Daut Demaku, në emër të Shoqatës së Botuesve të Kosovës, theksoi faktin se panairi dhe prania e vizitorëve do ta bëjë Prishtinën për tetë ditë rresht, kryeqytet të librit dhe të vlerave.

Në ceremoninë zyrtare të hapjes, ministrja Kumbaro Furxhi, u shpreh se “Çdo ngjarje e librit, kudo që ndodh, na jep të tilla mundësi për të folur bashkë, përmes dijes, përmes kulturës, gjuhës sonë të përbashkët dhe të përhershme. Por, kur takimi ndodh në Prishtinë, nuk është vetëm takim librash, por është edhe takim zemrash, sepse për mua ndodhemi pikërisht në atë hapësirën pakufij, ku lexuesit dhe autorët qarkullojnë nga mendja në mendje me ide dhe me vlerat e tyre”.

Në përshëndetjen e saj ajo theksoi se dita e sotme është një ditë e veçantë, e cila shënon marrëveshjen mes Shqipërisë dhe Kosovës në fushën e arsimit, hap i parë ky drejt një unifikimi të sistemit arsimor, i cili do të fillojë të zbatohet në shtator.

“Si ministre e kulturës së Shqipërisë, jam krenare që bëj pjesë në një Qeveri, që e mbështet fort këtë realitet të përbashkët kulturor, sepse beson te kultura jonë, beson te njerëzit e artit, të kulturës, të letrave. Për mua nuk ka autorë të Prishtinës, apo autorë të Tiranës, ka letërsi shqipe, ose letërsi të përkthyer në shqip, me gjithë diversitetin e saj në stile, kontekste, copa jetësh njerëzore, që më pas secili i lexon dhe percepton brenda lirisë, po aq pa kufij të mendjes, jetës, formimit  dhe shijeve të veta. Kjo është liria e pakufi e kulturës”.

Në mungesë të ministrit Memli Krasniqi, Kamuran Goranci, drejtor i Departamentit të Kulturës në MKRS, ka thënë se ministria në fjalë ndër prioritetet e saj për çdo vit, në mënyrë tradicionale në fushën e kulturës e ka edhe mbështetjen e panaireve, blerjen, botimin e revistave, të librave dhe të dhurimit të tyre nëpër biblioteka . “Panairet janë vende ku takohen kultura të ndryshme, ku krijuesit i pranojnë të arriturat shkencore, identitetet kulturore dhe kombëtare të tyre dhe kulturat e tyre. Prandaj, kjo mbështetej duhet të vazhdojë edhe më tutje”, është shprehur Goranci.

I pranishëm në ceremoninë e hapjes ishte edhe ambasadori i Shqipërisë në Prishtinë, Qemal Minxhozi.

Në Panairin e Librit të Prishtinës pritet të marrin pjesë rreth 100 botues nga Kosova, Shqipëria, Maqedonia dhe Diaspora.

Panairin pritet ta vizitojnë rreth 35.000 vizitorë: studentë, nxënës të shkollave të mesme dhe fillore të Kosovës, qytetarë dhe personalitete të shquara nga jeta akademike, letrare, politike e intelektuale e Kosovës.{:}