Ministria e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit

“Alfabeti i tij i gjallë njerëzor ka të gjithë mrekullinë, po edhe përkohshmërinë që ka qënia njerëzore. Ky alfabet bart gjithë thesarin e tij”.

Në një frazë, Ismail Kadare stilis portretin e Angjelin Preljocaj. Një shkrimtar i përjetshëm, për një artist të pakohë.

Në retrospektivë, ajo për të cilën më vjen mirë sot është që rekomandimi i Kadaresë për pranimin e Angjelinit në Akademinë e Shkencave u bë realitet sa Ismaili ishte ende në jetë.

U bë realitetet kur djali i emigrantit nga Vermoshi u pranua në Akademi përkrah dy personaliteteve të tjera të jashtëzakonshme, Mira Muratit dhe Lea Ypit.

Angjelini, Mira apo Lea janë pa dyshim arsye të jashtëzakonshme krenarie e të qënit shqiptar.

Por, besoj se historia e Angjelinit ka dy, pse jo tre të veçanta që sot është momenti i duhur për t’i thënë.

E para, datëlindja. Angjelini lindi në të njëjtin vit në të cilën trupa e baletit në TKOB realizoi shfaqjen e saj të parë historike, në vitin 1957, kur u vu në skenë vepra “Kujdesi i Kotë” i kompozitorit Johan Hertel.

Është një nga ato rastësitë domethënëse, që baleti shqiptar dhe balerini më i madh shqiptar kanë lindur në të njëjtin vit.

E dyta, është ajo që do të çmoja si një paralelizëm me Liqenin e Mjelmave. Vepra e Çajkovskit flet për dashurinë e pamundur të Princit Sigfrid me Odetën e shndërruar në mjelmë.

Jeta e Angjelinit flet për pasionin e jashtëzakonshëm për artin, kur edhe atëherë si adoleshent, përballë kundërshtimit të familjes, i duhet të maskonte klasat e baletit, si klasa xhudoje.

Si njëra dhe tjetra, me ndryshimin që Liqeni i Mjelmave është produkt i fantazisë, e tjera i stërmundimit e pasionit, janë histori të jashtëzakonshme frymëzimi për këdo, e veçanërisht të rinjtë.

Dhe e treta, e mbase më e rëndësishmja, është ajo e këtu dua të citoj Angjelinin, kur thotë: “Se si shqiptarët e diasporës, shpesh herë janë më shqiptarë se ata të Shqipërisë”.

Dhe se si ata, kanë mbajtur lart flamurin tonë kombëtar, edhe në kohët e izolimit ekstrem, edhe në kohët kur Shqipëria ka qenë e nënçmuar, e panjohur apo e padëshiruar.

Për të gjithë këto arsye, edicioni i tretë i këtij Festivali është provë e asaj që Kadareja thonte: “Se është gjithmonë koha e duhur, e nuk bëhet kurrë vonë, për të bërë diçka të mirë në vendin tënd”.

Ky Festival i Baletit Bashkëkohor do të shndërrojë Tiranën, të paktën për disa ditë në një kryeqendër të baletit në nivel europian.

Vendosja e Tiranës dhe bashkë me të gjithë vendit në qendër të hartave ndërkombëtare të artit, kulturës, trashëgimisë, festivaleve tematikë, kulinarisë, arkeologjisë, etnografisë, kinematografisë, etj është një objektiv prioritar për MEKI-n.

Ne jemi të udhëhequr nga një vizion në të cilin arti është i vendosur jo vetëm në funksion të argëtimit, por edhe në funksion të turizmit dhe zhvillimit të qëndrueshëm ekonomik.

Për këtë arsye, gjatë vitit 2024 MEKI ka mbështetur mbi 2.300 evente artistike dhe kulturore në të gjithë vendin.

E shumë nga këto evente, përfshi edhe ky festival që çelim sot, janë arsye direkte pas rekordit të 15 milionë turistëve, etj.

Mund të vazhdoj të flas shumë më gjatë për gjithë projektet tona në mbështetjen e artit.

Për ligjin e ri që po përgatisim, për investimet direkte në infrastrukturë, për rritjen e pagave në TKOB, për hapësirat e reja që po krijojmë, për fondet shtesë, etj.

Por, dua ta mbyll me një projekt që e kam shumë për zemër. Me projektin e javëve kulturore shqiptare që do të mbështetim nga viti 2025 në botë.

Për t’ia dalë me sukses, do të kemi edhe një herë më shumë nevojë për bashkëpunimin e Angjelinit, të Ermonelës, të Invës, Kleidit, Ilirit, e shumë artistëve të tjerë që skena shqiptare, e veçanërisht ajo e TKOB-it i ka bërë dhuratë botës.

Siç do të kemi nevojë edhe për përkrahjen e bashkëpunimin e diasporës sonë, mbështetje që jam i sigurt nuk do të mungojë.

Ky do të jetë rasti, edhe një herë më shumë, për të bërë siç thotë Kadare diçka të mirë për vendin tonë.