Ministria e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit

Ëndrra e balerinëve shqiptarë që jetojnë dhe punojnë nëpër botë bëhet realitet.Pas suksesit të korrur dhjetorin e shkuar në teatrin Brancaccio të Romës, më 5 maj 2014 Anbeta ToromaniKledi Kadiu e balerinë të tjerë të famshëm në katër anët e botës, kthehen me “Hera e Parë” atje ku e nisën karrierën e tyre, në Teatrin e Operës dhe Baletit në Tiranë.

Në mbrëmjen e dates 5 maj, ora 20.00  spektakli i baletit kontemporan, “ Hera e Parë”, me bileta të shitura në kohë rekord, u duartrokit gjatë nga publiku dhe artdashësit  në skenën e Teatrit Kombëtar të Operës dhe Baletit. Drejtori i TKOB-së, Ilir Kerni u shpreh se: “Përfaqësuesit e artit dhe baletit shqiptar nëpër Evropë rikthehen në Tiranë për realizimin e shfaqjes, “Hera e parë”. Ata vijnë në shtëpinë e tyre për të qenë më pranë publikut shqiptar”.

Balerini dhe njëkohësisht një nga ideatorët e kësaj mbrëmje, Kledi Kadiu tregon se, për herë të parë ka interpretuar në skenën e TKOB-së, para 16 apo 17 vjetësh, por ka qenë pjesëmarrës edhe në shfaqjen që është realizuar për 60-vjetorin e TKOB-së. “Prezantimi ynë në këtë skenë ishte i vështirë, jo se mungonte iniciativa, por për shkak të vështirësive që ekzistojnë në realizimin e një shfaqje, shpresoj që të ketë edhe një herë të dytë, të tretë, e kështu më radhë”.

Ai tregon se, mundësitë e tjera për të bashkëpunuar me TKOB-në, nuk kanë munguar, por përpjekjet kanë shkuar deri në pikën e fundit të marrëveshjes dhe pastaj çdo është pezulluar. “Unë mendoj se teatri nuk ka nacionalitet dhe as pasaportë”, thotë Kadiu.

Drejtori Artistik i “Hera e Parë” është Gentian Doda. Ai thotë se, ky  bashkëpunim po realizohet nga balerinët, falë dëshirës që ata kanë për t’u ngjitur në skenën e TKOB-së. “Për realizimin e saj jam ndikuar edhe nga folklori shqiptar dhe sidomos nga “3 vallet shqiptare” të Aleksandër Peçit. Është iniciativa dhe dëshira jonë që të jemi të gjithë së bashku në një teatër,  sepse ne vijmë të gjithë nga e njëjta shkollë. Në TKOB ka pasur vlera, por bashkëpunimi ynë i rrit edhe më tepër ato”, shprehet ai. Gentian Doda është koreograf dhe interpretues i pavarur. Gjatë këtyre viteve ai ka performuar si, balerin i parë në rolin e protagonistit dhe në produksionet klasike dhe neoklasike. Në vitin 2002 u ftua nga    Maurice Béjart për të luajtur rolin kryesor në “Firebird ” me baletin e Lozanës. Karriera e tij artistike ka ardhur në rritje, derisa në gusht të këtij viti emërohet “Balet Maester i parë” i Staatsoper në Berlin.

“Ne mund të bëjmë eksperienca në mbarë botën, por është herë e parë që mblidhemi në qendër të Tiranës”, thotë Erion Kruja. “Në këtë spektakël edhe muzika ka një rëndësi të veçantë për ne. Ka edhe melodi shqiptare gjë që na emocionon përtej baletit. Kujtojmë traditat tona dhe kjo është gjë shumë e bukur ”, shprehet Dorian Grori. Kjo shfaqje është ideuar nga Anbeta Toromani dhe Kledi Kadiu, ndërsa Gentian Doda është Drejtor Artistik. Të pranishëm do të jenë edhe balerinët: Erion Kruja, Brigel Gjoka, Hektor Budlla, Leart Duraku, Rezart Stafa, Dorian Grori dhe do të ngjiten në skenën e TKOB-së së bashku me balerinët tanë: Claudia Veçhi, Beatriz Uhalte Cisneros dhe Alessandro Macario.

Janë të gjithë artistë të angazhuar në kompani baleti, ndër më prestigjiozet në botë si: ‘Hofesh Shechter Company’, ‘The Forsythe Company’, ‘Aterballetto’, ‘Balletto di Roma’, ‘Teatro san Carlo di Napoli’, ‘Compania Nacional de Danza’, ‘Balletto Classico Cosi Stefanescu’, ‘Balletto di Montecarlo’.

“Hera e parë”- sjell emocionet edhe në dokumentarin e realizuar nga Altin Kaftira, ku artistët shprehen se: “Duam të vëmë bashkë eksperiencat tona. Vijmë nga vende të ndryshme të Evropës, por njëkohësisht vijmë të gjithë nga një vend i vetëm, Shqipëria. Ndaj duam që të paktën njëherë të mblidhemi të gjithë bashkë”, tregon Anbeta.

Për Hektor Budlën (Aterballetto), kjo mbrëmje me miq e kolegë prej shumë vitesh larg njëri-tjetrit, në mes të Romës është një eksperiencë e veçantë. “Ky teatër sonte nuk është në Romë, ndodhet në Shqipëri”, thotë ai. “Më duket si një darkë shqiptare, si një dolli që derdhet pas vitesh. Eksperienca më e bukur që mund të bënim ishte pikërisht një spektakël i tillë”, thotë Brigel Gjoka nga ‘Forsythe Company’.

Kjo shfaqje u mundësua nga Ministria e KulturësMinistria e Punëve të Jashtme, Instituti Italian i Kulturës, EU-Info Center, etj.{:}