Ministria e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit

Në datën 15 maj 2017, në ambientet e ambasadës shqiptare në Hagë organizohet ekspozita një ditore e librave antikë; shkruar për heroin tonë kombëtar, Gjergj Kastriotin. Koleksioni i rrallë i zonjës angleze Patricia Nugee, e cila gjatë gjithë jetës së saj ka mbledhur libra antikë të shkruar mbi Kastriotin, do të ekspozohet për herë të parë në Holandë.

Koleksioni privat Nugee, përbëhet nga mbi 30 libra të shkruar në disa gjuhë.  Libri më i vjetër është ai i Marin Barletit, i cili daton në vitin 1510, ndërsa librat e tjerë janë shkruar gjatë 200- vjeçarit të ardhshëm, pra deri në 1810.

Në koleksionin Nugee, bien në sy edhe dy drama të shkruara në anglisht, në të njëjtën kohë me shkrimet e Shekspirit me personazh kryesor, Gjergj Kastriotin. Këto libra,  (rreth 30) shkruar në 8 gjuhë të ndryshme, nga latinishtja, italishtja deri tek portugalishtja dhe suedishtja flasin për bëmat e Gjergj Kastriotit dhe virtutet e tij, jo vetëm si strateg e diplomat i rrallë, por edhe si mishërim i virtytit dhe i karakterit të rrallë.

Ekspozita do të qëndrojë e hapur vetëm për një ditë. Të ftuar janë historianë, diplomatë, ushtarakë, koleksionistë librash antikuarë, drejtorë muzeumesh holandeze, përfaqësues të gjykatave në Hage si edhe shumë shqiptarë me banim në Holandë.

Ky koleksion privat, i cili gjendet në Londër e udhëton për herë të parë për në Holandë, është shumë i rrallë dhe i çmuar.

15 maj 2017, Ambasada Shqiptare, Art Gallery, Hagë

E hapur nga ora : 11:00-19:00{:}