Ministria e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit

Për herë të parë në Shqipëri, u zhvillua një panel i nivelit të lartë me drejtues të industrisë globale të filmit, ku ndër të tjerë morën pjesë figura të njohura si Veronica Sullivan (NBCUniversal), Mindy Macinnes (Warner Bros/HBO), Anna Cassina (Amazon MGM Studios) dhe Olivier Dock (Motion Picture Association).

Theksuam përpara kësaj audience të rëndësishme angazhimin e qeverisë shqiptare për të ndërtuar një ekosistem konkurrues për industrinë kreative, përmes stimujve fiskalë, reformave ligjore dhe investimeve në talente e infrastrukturë moderne.

Catalyst Story Institute, një nga institucionet më prestigjioze amerikane për zhvillimin e talenteve krijues, tashmë është pjesë e këtij vizioni me hapjen e qendrës Tirana Training Institute duke kontribuar në formimin profesional dhe ndërkombëtarizimin e sektorit.

Shqipëria nuk është më thjesht një destinacion i bukur, por tashmë edhe një partner i besueshëm për prodhime filmike me vizion të gjatë.

Përmes nismës #FamTourAlbania, po mirëpresim emra të mëdhenj të industrisë globale të filmit nga HBO, Warner Brothers, Amazon, Disney, Paramount, NBCUniversal e shumë të tjerë!

Përgjatë turit të tyre disaditor në qytete të ndryshme të Shqipërisë, ata janë këtu për të zbuluar nga afër bukuritë natyrore, historinë dhe traditat, lokacionet unike dhe mundësitë e shumta që Shqipëria ofron për xhirime dhe bashkëprodhime ndërkombëtare.

Kjo është një mundësi e jashtëzakonshme për të vendosur Shqipërinë në radarët e industrisë globale kreative. Takimet, vizitat në terren dhe shkëmbimet me profesionistët më të mirë të fushës po hapin rrugën për projekte të reja, investime dhe bashkëpunime që mund ta kthejnë vendin tonë në një qendër të re të produksionit filmik në Europë.

Foto Album