Ministria e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit

I nderuar Kryeministër
E nderuar Znj. Ambasadore (Suard)
Të nderuar të pranishëm

Në vizitën e tij zyrtare si i pari kryetar shteti i Francës në Shqipëri, Presidenti Macron evokoi largpamësinë e Justin Godart, mikut të pavdekshëm të Shqipërisë që një shekull më parë parashikoi: “Do të vijë një kohë që Shqipëria do të tërheqë udhëtarë, turistë, artistë nga mbarë bota, e miq të lirisë. Do të shkojnë në Shqipëri ata për pelegrinazh, e do të jetë ajo tokë, toka e premtuar e optimizmit!”.

Nuk e di se çfarë do të thonte sot Godart, duke parë që në Piramidën e ngritur për të përjetësuar diktatorin, po përjetësojmë qënien tonë europiane, si dhe miqësinë e jashtëzakonshme

shqiptaro-franceze. Por, besoj sinqerisht se gjithçka kemi arritur së fundmi bashkë, e që gjithçka vjen në Tiranë në këtë Javë të Francës, ka krijuar një hapësirë të bollshme, e mbi të gjitha të arsyeshme optimizmi. Marrëdhënia jonë dypalëshe, në të gjithë dimensionet e saj, është në gjendje të nxjerrë në pah më të mirën e secilit prej vendeve tona. “Francën, të pandashme nga madhështia e saj”, siç ka thënë Dë Goli. Si dhe Shqipërinë, një vend që gjen plotësisht veten e saj në vlerat e lirisë, barazisë dhe vëllazërisë (referencë ndaj liberte, egalite, fraternite) Pa dashur të përsëris parafolësit, Kryeministrin Rama dhe znj. Ambasadore; personalisht, si Ministër i Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, jam i gëzuar që kjo java që çelim sot bën bashkë

të treja shtyllat mbi të cilat ngrihet MEKI-n. E që kemi shumë për të folur për ekonominë, për arstin, kulturën dhe inovacionin. Kjo javë na gjen me:

· Një stok investimesh të huaja franceze të rritur me 15% në 2023-shin, krahasuar me vitin paraardhës.

· Me një “armatë” prej pothuajse 500 kompanish franceze që operojnë në Shqipëri, e që janë në rritje të vazhdueshme.

· Me horizonte të reja të përbashkëta dhe investime madhore si ai për dy parqet fotovoltaike.

· Me mëse 100 mijë turistë francezë që vizituan vendin tonë në 2023-shin, rekord që gjykuar nga të dhënat e deritanishme të INSTAT do të thyhet përsëri në 2024-n.

· Me investime në sektorin e turizmit, që po sjellin mikpritjen franceze në bregdetin shqiptar.

· Na gjen me dy marrëveshje të reja shumë të rëndësishme që kanë hyrë në rrugën e zbatimit pas nënshkrimit në muajin prill në Paris: Ajo për bashkëpunimin në projektet prioritare, si dhe ajo për nxitjen e zhvillimit të gjelbërt në Shqipëri.

· Me hapësira të reja dedikuara inovacionit, duke ngritur në Tiranë një “Stacion F” në minitaturë, e duke bërë të prekshme për të gjithë ekselencën më të mirë franceze.

· E gjithashtu vjen me hapësira të çmuara dedikuara kinematografisë, artit, dialogut, frymëzimit, kreativitetit, e të gjithave atyre cilësive që kanë shndërruar Francën në një vitrinë të jashtëzakonshme të artit, kulturës, dhe zhvillimit në rang botëror.

 

Pa u zgjatur më tej, dua të theksoj se gjithçka është planifikuar synon jo vetëm të kremtojë ato që kemi arritur së bashku. Por, edhe të hedhë bazat për një zhvillim edhe më intensiv në të ardhmen. E ky është një lajm vërtet i mirë, pasi më shumë Francë në Shqipëri do të thotë më shumë progres, më shumë zhvillim, më shumë liri dhe më shumë Europë. Faleminderit!