Ministria e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit

Javët kulturore Ndërkombëtare, sollën për herë të parë në Shqipëri Javën Kulturore Braziliane nga datat 21 deri më 29 qershor të cilat u shtrinë nga Tirana në Vlorë. Përgjatë këtyre ditëve u organizuan një sërë aktivitetesh si shfaqje filmash, koncert harqesh, aktivitete letrare dhe muzikore. Por, “qershia mbi tortë” pa diskutim ishin karnavalet Braziliane, një traditë e njohur në mbarë botën.

Në një shfaqje të paparë më herët në vendin tonë, ky manifestim kulturor solli ritmin, ngrohtësinë dhe ngjyrat e Brazilit në zemrën e bregdetit. Performanca e mrekullueshme e mbi 25 artistëve të ardhur nga Brazili si perkusionistë, balerina dhe kërcimtarë profesionistë, mbajti të mbërthyer për disa orë në Lungomare jo vetëm qytetarët vlonjatë, por edhe turistët e shumtë në qytet. Në këtë shfaqje nuk kishte si të mungonte edhe disiplina e kërcimit luftarak Capoeira, teksa shoqëroheshin dhe nga vespa shumëngjyrëshe, akrobatë të cirkut shqiptar dhe balerinat e Qendrës Kulturore Vlorë.