Ministria e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit

Koncerti i parë i projektit “Jo vetëm Mozart” nis në qytetin e Durrësit.  Ky koncert, i cili do të organizohet nga qendra kulturore “Gjenerata e Re”,  është një gërshetim i vokalit si natyrë njerëzore e mirëfilltë e “Belcanto-s” , për epokën që është ndërtuar i gjithë programacioni i ciklit, dhe instrumentit muzikor. Kjo platformë ngrihet mbi bazën e një standarti dhe cilësie të lartë që sjellin solistët shqiptarë me famë botërore, dhe jo vetëm, ku mbizotëron eksperienca e rëndësishme e botës operistike.

“Jo vetëm Mozart” është një projekt i cili nga viti në vit, synon te shtrihet në shumë qytete të Shqiperisë. Risia e këtij viti do të jetë bashkëpunimi midis orkestrës së harqeve “Jan Kukuzeli” në Durrës dhe disa prej solistëve të Teatrit Kombëtar të Operas dhe Baletit.

Orkestra e harqeve “Jan Kukuzeli” vjen në një format thelbësor të zhvillimit individual artistik dhe të rritjes së aktivitetit klasik koncertor për të vënë akoma më shumë në dukje vlerat e mirëfillta të vetë muzikantëve. Ajo është një orkestër shumëvjeçare e konsoliduar, e cila pas suksesit të koncertit të fundit, “Romantik Music” nga kolonat zanore të filmave, merr persipër një tjetër sfide,  atë të muzikës Baroke.

Kjo nismë do të mbështet në disa figura të ftuara, si Dorina Selimaj, soprano  e  TKOBAP, e cila me vokalin e saj potencial ka interpretuar në shume shfaqje, si në Shqipëri ashtu edhe në shumë skena teatrore të Europës.

Në këtë koncert do të interpretojnë artistët e skenës operistike:

Armando Likaj, bariton i shquar pranë TKOBAP, i cili ka një karrierë të larmishme shumëvjeçare dhe një repertor të gjerë lirik dhe solistik. Pjesëmarrës në shumë konkurse dhe festivale mbarëkombëtare.

Abigeila Voshtina, karriera e të cilës ka nisur prej vitesh në skena prestigjioze në Itali, për të vazhduar më tej nëpër Europë dhe së fundmi edhe në Shqipëri, ku prej disa vitesh, me lojën e saj virtuoze sjell eksperiencën e saj baroke, klasike dhe romantike të repertorit violinistik.

Dirigjenti i njohur, Petrika Afezolli, prej vitesh edhe pedagog në Universitetin e Arteve, do të sjellë me këtë koncert kombinimin ndërmjet orkestrës së harqeve dhe lojës virtuoze të solistëve.

Ajo çka është më e rëndësishme në këtë format koncertesh mbetet promovimi i emrave të rinj që do të ndërtojnë personalitetin e tyre muzikor dhe do të gjejnë një hapësirë të re me një standart të lartë.

25 prill, ora 19:00, teatri “Aleksandër Moisiu”, Durrës{:}