Ministria e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit

“ Në fillim të pranverës Kisha e Ristozit do të jetë një destinacion i shtuar turistik për qarkun e Korçës” deklaroi Ministrja Kumbaro nga Mborja, së bashku me kryetarin e bashkisë Sotiraq Filo. Nis faza e fundit e restaurimit te Kishës së Ristozit të Mborjes, një nga monumentet e rëndësishëm të periudhës së vitit 1389. Pas dy ndërhyrjeve emergjente në vitin 2014 dhe 2015, ky monument kulture doli nga lista e rrezikut. Ministria e Kulturës dhe Instituti i Monumeneve po investojnë në fazën e tretë të këtij monumenti të vyer bizantin duke e shpëtuar nga rreziku dhe duke e nxjerrë nga emergjenca. Investimi në Kishën e Ristozit ishte një operacion shpëtimi duke korrigjuar edhe ndërhyrjet e gabuara të vitit ’70.

Ministrja e Kulturës, Mirela Kumbaro pas një inspektimi në terren theksoi se “Ky monument është nga objektet më të vizituara pasi ndodhet në hartën turistike të Korçës ku ne kemi kryer ndërhyrje të thella, të integruara siç është edhe Voskopoja. Kryem një operacon shpëtimi duke e nxjerrë nga lista e emergjencës”.
Kjo fazë e tretë e ndërhyrjes konsiston në çlirimin nga shtresa e betonit të armuar mbi kupolë, pastrami I trotuareve për të shmangur depërtimin e ujrave të rreshjeve në themelet e ndërtesës, si dhe ripërdorimi i tjegullave origjinale në këtë objekt të trashëgimisë.
Gjatë zbulimit të objektit në fazën e parë të restaurimit (nëntor 2014) jane gjetur modelet e tjegullave origjinale të periudhës bizantine me të cilat ka qënë mbuluar fillimisht ky monument. Këto tjegulla kanë përmasa 55x33x3cm. Ripërdorimi i tjegullave të tilla do të rivlerësojë imazhin e monumentit duke sjellë më të qartë arkitekturën dhe tipologjinë e tij.
Një element tepër i rëndesishëm , që karakterizon përmbajtjen e objektit dhe në funksion të tij është kambanarja. Aktualisht ajo është e pozicionuar jashtë kishës, e vendosur në konstruksion druri te dëmtuar në vite dhe komplet i degraduar. Nga foto të vjetra të kishës të gjetura në arkivin e IMK , vihet re se nuk ka patur nje kambanore të pozicionuar brenda objektit apo mbi strukturën e çatisë së tij.{:}