Ministria e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit

Përshëndetje të gjithëve,

Është një kënaqësi e veçantë të marr pjesë në këtë Konferencë Kombëtare, e cila shënon Ditën Botërore të Pronësisë Intelektuale, një ditë që shkon përtej simbolikës dhe shndërrohet në një platformë konkrete për reflektim dhe veprim mbi ekonominë dhe inovacionin në vendin tonë.

Shqipëria feston këtë ditë së bashku me vendet anëtare të Organizatës Botërore të Pronësisë Intelektuale, duke theksuar rëndësinë e inovacionit dhe krijimtarisë për zhvillimin ekonomik.

Ekziston një vullnet i qartë i Qeverisë Shqiptare për të mbështetur dhe promovuar inovacionin. Strategjia Kombëtare e Pronësisë Intelektuale 2025-2030, që kemi miratuar së fundmi, dëshmon angazhimin tonë për përmirësimin e kuadrit ligjor dhe forcimin e kapaciteteve institucionale, me qëllim garantimin e një niveli mbrojtjeje të krahasueshëm me atë të vendeve të Bashkimit Evropian.

Tema e konferencës së sotme, “Nga ideja te ndikimi”, më sjell në mendje fjalët e Tomas Edison, që thoshte se “Vlera e një ideje qëndron në përdorimin e saj.”

Vetëm duke mbështetur ide të reja dhe duke i shndërruar ato në produkte konkrete për tregun, mund të ndërtojmë një ekonomi konkurruese dhe të qëndrueshme, thelbësore për zhvillimin ekonomik dhe social që synojmë të arrijmë.

Sot ndodhemi në një moment historik, atë të çeljes së negociatave me Bashkimin Evropian. Procesi i integrimit evropian nuk është vetëm një detyrim teknik, por mbi të gjitha një transformim i thellë ekonomik, institucional dhe kulturor.

Vetëm një javë më parë, në Luksemburg, u mbajt Konferenca e 4-ët Ndërqeveritare e Aderimit, ku hapëm negociatat për Grup-kapitullin e 2-të, atë të Tregut të Brendshëm.

Shtatë nga nëntë kapitujt në këtë cluster udhëhiqen nga MEKI, duke trajtuar çështje të rëndësishme për lëvizjen e lirë të mallrave, shërbimeve dhe punës, ku një vend të posaçëm zë Kapitulli 7, ai i Pronësisë Intelektuale.

Në këtë kontekst, harmonizimi i legjislacionit me qëllim mbrojtjen dhe promovimin e pronësisë intelektuale, është një element kyç për të rritur konkurrueshmërinë dhe për të përshpejtuar integrimin në tregun e përbashkët evropian.

Ministria e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit ka vendosur inovacionin dhe sipërmarrjen e bazuar në dije si shtylla kryesore të politikave të saj zhvillimore.

Ne synojmë të krijojmë një ekosistem ku universitetet, qendrat kërkimore dhe bizneset bashkëpunojnë për të prodhuar teknologji të reja që stimulojnë rritjen ekonomike.

Pronësia industriale, dhe në veçanti patentat, kanë një rol të pazëvendësueshëm në mbrojtjen dhe promovimin e inovacionit. Ato janë mekanizmi që siguron se idetë e reja mbrohen, zhvillohen dhe kthehen në mjete konkrete për ndikim ekonomik.

Në përmbyllje, dua të shpreh vlerësimin tim për bashkëpunimin e shkëlqyer me Organizatën Evropiane të Patentave (EPO) – Zv. Presidenti i së cilës, Z. Christof Ernst, është këtu sot – për mbështetjen e vazhdueshme dhe angazhimin e tyre për të ndërtuar një Shqipëri që prodhon dhe mbron dijen.

Ky bashkëpunim ka sjellë rezultate konkrete në ngritjen e kapaciteteve teknike dhe në ndërgjegjësimin mbi rëndësinë e sistemit të patentave, veçanërisht për universitetet dhe startup-et shqiptare.

“Nga ideja te ndikimi”, rruga kalon përmes bashkëpunimit, dijes dhe mbështetjes së vazhdueshme.

Ju uroj një konferencë të suksesshme dhe gëzuar Ditën Botërore të Pronësisë Intelektuale!