Ministria e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit

Të nderuar Ambasadorë

Të nderuar sipërmarrës, investitorë të mëdhenj që keni zgjedhur si destinacion për biznesin tuaj Shqipërinë

Jam i lumtur që të jem i pranishëm në këtë Konferencë që bën bashkë aktorët më të rëndësishëm të progresit, inovacionit dhe ndryshimit mes radhëve të biznesit.

“Kam ardhur këtu nga qeveria. Jam këtu për t’iu ndihmuar”, është fraza më e frikshme që një sipërmarrës mund të dëgjojë, thonte gjatë Presidencës së tij Regani.

Por, sinqerisht, në këtë rast besoj se interesi ynë i përbashkët na bën aleatë të natyrshëm në këtë përpjekje të përbashkët për të përmirësuar hap pas hapi standartet dhe për të nxitur më tej inovacionin në Shqipëri.

Siç ka thënë edhe parafolësi, (në një intervistë në marrjen e detyrës) z. Balash Revesh (kryetari i FIAA), “kthimi i Shqipërisë në një prej qendrave më të rëndësishme dixhitale të Ballkanit Perëndimor kërkon përpjekje të koordinuara nga biznesi dhe qeveria”.

Qeveria jonë ndan të njëjtën bindje absolute, se është absolutisht e mundur ta shndërrojmë Shqipërinë në një hub inovacioni, dixhitalizimi dhe dije, në përpjekje të bashkërenduara me biznesin.

Pa dyshim, ka momente kur kjo duket më e vështirë. Ambasadori dhe miku ynë Gonzato mund të flasë më gjatë për përvojën e tij të papëlqyeshme në Kuvend pardje.

I referohem pa ekuivok situatës së panevojshme dhe të paarsyeshme të krijuar me shfaqjet e dhunës.

Megjithatë, besoj se ajo situatë provon as më shumë dhe as më pakë se politika ka fuqi si të mbjellë, ashtu edhe të shkatërrojë. Ne jemi të vendosur të bëjmë të parën.

Shpesh në historinë e këtij vendi jemi mësuar të bëjmë nga një hap pas, për çdo dy hapa para. Por, për fat të mirë, ky nuk është më rregulli, por përjashtimi që provon rregullin.

Duke u përqendruar tek tema për të cilën jemi mbledhur këtu sot, marrëdhia e shtetit shqiptar me inovacionin e dixhitalizimin është ndër më uniket në botë.

E nisëm me absolutisht asgjë. 10 vjet më parë, Shqipëria kishte vetëm 7 shërbime qeveritare të dixhitalizuara, edhe ato pjesërisht.

Ndërsa sot, në E-Albania ka mbi 1.300 shërbime qeveritare ose rreth 95% e totalit të shërbimeve të përgjithshme që ofrohen.

Ka qenë një përvojë e jashtëzakonshme, që ka transformuar radikalisht marrëdhënien e qytetarit dhe biznesit me administratën dhe ka shndërruar Shqipërinë në lider të e-shërbimeve në Ballkanin Perëndimor.

Përsa i përket ekonomisë dixhitale, raporti i DESI (Digital Economy and Society Index) tregon se Shqipëria ka bërë hapa përpara dhe se ndodhet në klasën e më të mirëve të rajonit.

Megjithatë, hendeku që na ndan me Europën është ende i thellë.

Lajmi I mirë, sipas një studimi të realizuar së fundmi, më shumë se 60% e kompanive në vend planifikojnë të investojnë në transformimin dixhital deri në 25% të të ardhurave të tyre brenda disa viteve të ardhshme.

Ne kemi strategji dhe politika të qarta për të mbështetur në çdo mënyrë këtë transformim.

Jemi duke bashkëpunuar ngushtësisht me biznesin për të ngushtuar sa më shpejt hendekun që na ndan, përfshirë fusha me rëndësi thelbësore si e-tregtia, e-shitjet apo përmirësimi i pagevave dixhitale, që janë thelbësore për të ngritur konkurrueshmërinë e ekonomisë sonë dixhitale në rajon dhe në Europë.

Nga kjo përpjekje, varet sa shpejt do të jemi në gjendje të realizojmë tre objektiva kyç të qeverisë sonë.

E para, formalizimi i ekonomisë, ulja e informalitetit dhe nivelit të parasë cash që qarkullon në ekonominë tonë. Për të arritur këtë, jemi të vetëdijshëm për nevojën e rritjes së aksesit dhe larmisë së shërbimeve dixhitale.

E dyta, rritja e produktivitetit dhe eksporteve tona, që nga ana tjetër bën më të lehtë momentin kur produkti shqiptar do të përballet pa barriera mbrojtëse në tregun e lirë europian.

Si dhe e treta, rritja e aksesit të shërbimeve dhe inovacionit është direkt e lidhur me nivelin e papunësisë.

Jemi në momentin historik kur me 10.6% kemi arritur nivelin më të ulët të papunësisë në vendin tonë dhe po prekim për herë të parë nivelin e një papunësie një-shifrore.

Ka shumë mënyra për të rritur punësimin. Por, inovacioni është mënyra më e thjeshtë për t’ia dalë mbanë. Sepse për çdo vend pune të humbur për shkak të inovacionit, krijohen 2.5 vende të tjera mesatarisht.

Një ndër shkencëtarët e parë kompiuterik të shekullit të kaluar ka thënë se: “Ka vetëm një mënyrë për të kontrolluar të ardhmen. Ta ideosh dhe ta ndërtosh vetë atë”.

Kjo Konferencë, mes shumë gjërave të tjera, është absolutisht një dritare e jashtëzakonshme rreth të ardhmes që ne së bashku shikojmë.

Si dhe një përpjekje për të qenë ne, që me vizionin dhe punën tonë, arrijmë t’i japim të ardhmes sonë formën që dëshirojmë.

Në mbyllje, më lejoni një batutë.

Akrononimi i Shoqatës së Investitorëve të Huaj në Shqipëri, FIAA, ngjan shumë me një akronim tjetër që unë kam për zemër, FIA-n ose Federatën Ndërkombëtare të Automobilizmit.

Kjo e dyta, ka pranuar që të vijë në Elbasan, aty ku deri dje nuk kishte absolutisht asgjë tërhëqëse në sytë e FIA-s, pasi me vizionin për pistën e re të garave dhe gjithë infrastrukturën bashkëngjitur po krijojmë kushtet për të pritur gara të Formulës 1 dhe kategorive të tjera prestigjioze të automobilizmit.

Askush nuk e mendonte të mundur deri dy vjet më parë. E në mos më e vështirë, kjo ka qenë një sfidë po aq edhe e vështira sa sfida që na ka bashkuar sot.

Kjo është një arsye më shumë që më bën të jem besimplotë në suksesin tonë të përbashkët. Faleminderit