Ministria e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit

Në kuadër të bashkëpunimit që Ministria e Kulturës/Drejtoria për të Drejtën e Autorit dhe të Drejtat e tjera të lidhura me to  ndër vite ka patur me Organizatën Botërore të Pronësisë Intelektuale (OBPI), një ndër aktivitetet që do mbështeten gjatë 2017 nga kjo organizatë  është dhe Konferenca Kombëtare  mbi “10 vjet institucion – E Drejta e Autori në RSH”.

Të ftuar në këtë aktivitet do të jenë të gjitha strukturat shtetërore lokale dhe agjencitë e ndryshme publike dhe private, të cilat në ushtrimin e veprimtarive të tyre janë pjesë e zbatimit të legjislacionit për të Drejtën e Autorit në Republikën e Shqipërisë.

Gjatë konferencës do të jetë i pranishëm dhe një ekspert i huaj, përfaqësues i Organizatës Botërore të Pronësisë Intelektuale Z. Rafael Vazquez Ferraz, një personalitet në fushën e të drejtës së autorit dhe të menaxhimit kolektiv, i cili do referojë tema të tilla si: kuadri ndërkombëtar në fushën e të Drejtës së Autorit dhe të Drejtave të tjera të lidhura me të, Industritë që bazohen te e Drejta e autorit dhe roli i tyre në rritjen e GDP së një vendi të caktuar.

Titullari i Drejtorisë për të Drejtën e Autorit do t`i njohë të ftuarit me zhvillimin e deritanishëm në fushën e të drejtës së autorit, arritjet në kuadrin ligjor, problematikat e hasura ndër vite dhe sfidat që has kjo fushë në epokën e mjedisit dixhital.

Do të ketë pjesëmarrje  nga Institucionet e Drejtësisë, Gjykatat dhe Prokuroria, Drejtoria e Krimit Ekonomik në Policinë e Shtetit, Drejtoria e Doganave, Drejtoria e Tatimeve, përfaqësues të Bashkisë Gjirokastër, Universiteti dhe stafi akademik i saj, drejtoria Rajonale arsimore Gjirokastër, Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë Gjirokastër, industri dhe biznesi që bazohen tek e drejta e autorit, mediat dhe kabllorët lokalë të Gjirokastrës.

Kudo që ne hedhim sytë, ne shohim imazhe të pronësisë intelektuale në veprim. Çdo gjë e jetës sonë të përditshme është e lidhur në mënyrë parësore apo sekondare më të drejtat e pronësisë intelektuale.

Mbrojtja e produkteve intelektuale është edhe një sistem i mirë organizuar i cili i sjell dobi të madhe çdo shoqërie të çdo vendi, si dhe sjell dobi dhe përfitime në zhvillimet ekonomike, sociale e kulturore të tij.

Të gjithë e dimë dhe biem dakord që sa i rëndësishëm është ky sistem në mënyrë që të garantohet ruajtja dhe zhvillimi i mëtejshëm i kulturës e traditës sonë të pasur dhe ekonomisë së vendit.

Vetëdija e shoqërisë dhe e institucioneve të shtetit për kompleksitetin e rëndësisë që mbartin të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me të, në zhvillimet kulturore, sociale, ekonomike e politike të një vendi e shoqërie, mund të thuhet se sot është në rrugë të mbarë në Shqipëri.

Pronësia Intelektuale shqiptare, si pjesë e qenësishme e kulturës dhe e trashëgimisë sonë  kombëtare, është dhe do të jetë në fokusin e Qeverisë Shqiptare dhe të Ministrive përkatëse për të përmbushur misionin dhe objektivin e saj, atë të vendosjes së kulturës, në shërbim të mirëqenies, zhvillimit dhe integrimit evropian të Shqipërisë dhe shqiptarëve.

Ka një vullnet të qartë të shprehur të Qeverisë Shqiptare se respektimi se mbrojtja e të Drejtave të Pronësisë Intelektuale do të garantohet në të njëjtin nivel që garantohet në të gjitha vendet e zhvilluara të botës. Kjo fushë është prioritare për Qeverinë Shqiptare për të plotësuar të gjitha kushtet që kërkon BE, në mënyrë që të bëhemi vend anëtar  me të drejta të plota.

 23 maj 2017.  Hotel ‘Çajupi”,  Gjirokastër,  ora 10:30{:}