Ministria e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit

Konkurs rinor i organizuar nga QENDRA RAJONALE SOFJE – UNESCO

  • Çmimi është një udhëtim 3-ditor në Paris për 3 aplikantët fitues;
  • #ShareYouthHeritage është në kërkim të historive tërheqëse për trashëgiminë kulturore jomateriale të Evropës Juglindore.

Konkursi ndërkombëtar për të rinj “Trashëgimia Kulturore Jomateriale: Gjenerata Tjetër”, është organizuar nga Qendra Rajonale e Sofjes – UNESCO. Çmimi është një udhëtim 3-ditor në Paris. Një panel ekspertësh do të përzgjedhë 3 aplikantë fitues dhe ata do të kenë mundësinë të vizitojnë Selinë e UNESCO -s, si dhe atraksione të tjera kulturore në kryeqytetin francez.

Të drejtën për pjesëmarrje në këtë konkurs e ka çdo qytetar i Shteteve Anëtare të Qendrës Rajonale Sofje* i moshës 18-35 vjeç. Aplikantëve u kërkohet të përgatisin një prezantim të një elementi të trashëgimisë kulturore jomateriale nga vendi i tyre, i cili duhet të përmbajë një përshkrim tekstual, si dhe përmbajtje vizuale. Afati i fundit për pjesëmarrje është 15 shtator 2021.

Nisma synon të nxisë interesin dhe përfshirjen e brezit të ri në ruajtjen dhe transmetimin e trashëgimisë kulturore jomateriale. Ajo është organizuar për të shënuar 75 vjetorin e themelimit të UNESCO-s (16 nëntor 1945), dhe 65 vjetorin e pranimit të Bullgarisë në të. Bashkëorganizatorë janë Komisioni Kombëtar për UNESCO-n i Republikës së Bullgarisë dhe L’Institut Français de Bulgarie.

Pjesëmarrësit inkurajohen të paraqesin praktika të ndryshme, lidhur me zejet, vallëzimin, muzikën, artet interpretuese, kulinarinë, ritualet dhe fusha të tjera të trashëgimisë kulturore jomateriale, sipas përzgjedhjes së tyre. Elementi i propozuar mund të jetë i regjistruar ose jo në Listën Përfaqësuese të Trashëgimisë Kulturore Jomateriale të UNESCO-s.

APLIKONI këtu: https://www.unesco-centerbg.org/en/next-gen/

 

* Shtetet Anëtare të Qendrës Rajonale të Sofjes: Shqipëria, Armenia, Bosnja dhe Hercegovina, Bullgaria, Kroacia, Qipro, Gjeorgjia, Greqia, Moldavia, Mali i Zi, Maqedonia e Veriut, Rumania, Serbia, Sllovenia, Turqia dhe Ukraina.{:}