Ministria e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit

[metaslider id=5024]

Kryetari i Kuvendit, z. Ilir Meta zhvilloi një takim me Kryetarin e Komunës së Ulqinit, z. Fatmir Gjeka. Në këtë takim, Kryetari i Kuvendit shoqërohej nga Ministrja e Kulturës, znj. Mirela Kumbaro si dhe deputetë të Kuvendit të Shqipërisë.

Në fjalën e tij përshëndetëse, z. Meta vlerësoi angazhimin administratës së Komunës së Ulqinit për të forcuar gjithnjë e më shumë marrëdhëniet midis Ulqinit edhe Shqipërisë.

Kryetari i Kuvendit shprehu angazhimin institucioneve shqiptare për mbështetjen e Shqipërisë për Komunën e Ulqinit dhe për shqiptarët që jetojnë atje, ndërsa bëri të ditur dhe nismën për të dhënë abetare për fëmijët që ndjekin gjuhën shqipe.

Ministrja e Kulturës, znj. Mirela Kumbaro theksoi se në shtator do të ketë edhe një nismë të re në fushën e kulturës me qëllim që modelin e kalendarit kulturor Shqipëri- Kosovë të shtrihet edhe në trevat e tjera.

“Është vërtet kënaqësi që jemi këtu dhe më lejoni të theksoj se nëse jemi të gjithë bashkë, ku dje kishim dhe Ministri i Kulturës së Kosovës, është pikërisht kultura ajo që na ftoi të gjithëve në Ulqin në kuadrin e panairit të librit. Por jo vetëm kaq. Kam kënaqësinë që të ndaj me publikun dhe nismën e re përveç abetares mbarëkombëtare në shtator edhe punën që nismë për hartimin një marrëveshje bashkëpunimi në fushën e kulturës me qëllim që modelin shumë të suksesshëm të kalendarit kulturor Shqipëri- Kosovë ta shtrijmë edhe në trevat e tjera  ku kultura në gjuhën shqipe integrohet jo vetëm me atë rajonale, por edhe më gjerë me një kulturë integruese drejt Europës. Kjo është aspirata jonë e përbashkët dhe kultura është rruga më e sigurt”, theksoi znj. Kumbaro. .

Kryetari i Komunës së Ulqinit, z. Fatmir Gjeka vlerësoi vizitën e Kryetarit të Kuvendit, ndërsa shtoi se është gjetur gatishmëria për të realizuar disa kërkesave lidhur me çështjet kulturore dhe të infrastrukturës.

“Komuna jonë ka kënaqësinë të presë Kryetarin e Kuvendit të Shqipërisë, z. Ilir Meta, znj. Kumbaro Ministre e Kulturës dhe deputetë të cilët kanë qenë pjesë e delegacionit i cili ka qenë në Ulqin këto ditë. Kemi gjetur gatishmërinë sa u përket të gjitha këtyre kërkesave tona dhe për çështjet tona kulturore, për infrastrukturë për lidhjen e Malit të Zi me Shqipërinë. Në të ardhmen do të vijojmë dhe gjatë gjithë vitit që këto projekte, të cilat janë të përbashkëta, qofshin në kulturë, në arsim dhe në sferat e tjera t’i jetësojmë dhe t’i bëjmë sa më të mira për ne shqiptarët këtu në Mal të Zi”, tha z. Gjeka.

Ministrja e Kulturës së Republikës së Shqipërisë, znj. Mirela Kumbaro zhvilloi edhe një takim pune me Kryetarin e Këshillit Kombëtar të Shqiptarëve në Malin e Zi, z. Genci Nimanbegu. Në takim u diskutua për bashkëpunimin institucional ndërmjet KKSH-së dhe Ministrisë së Kulturës së Republikës së Shqipërisë. Përfaqësuesit e KKSH-së kërkuan që Ministria e Kulturës të mbështesë aktivitetet e ndryshme kulturore në trevat ku jetojnë shqiptarët në Malin e Zi. Në këtë drejtim është kërkuar që edhe shqiptarët në Mal të Zi të jetë pjesë e Kalendarit të përbashkët kulturor Shqipëri – Kosovë.

Ministrja Kumbaro shprehu gatishmërinë për të bashkëpunuar me KKSH-në për organizimin e veprimtarive kulturore.  KKSH dhe Ministria e Kulturës së Shqipërisë kanë rënë dakord për hartimin e Memorandumit të Bashkëpunimit ndërmjet këtyre dy institucioneve.{:}