Ministria e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit

Kalendari kulturor Shqipëri- Kosovë 2018 

Në 140-vjetorin e Lidhjes së Prizrenit dhe në Vitin Mbarëkombëtar të Skënderbeut u nënshkrua në ambientet e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit Protokolli i Bashkëpunimit për Kalendarin e Përbashkët Kulturor 2018. Ky akt hap rrugë të reja të bashkëpunimit mes Kosovës dhe Shqipërisë. Kalendari i përbashkët kulturor Shqipëri – Kosovë 2018 dakordëson aktivitete në fushën e trashëgimisë, që kanë të bëjnë me digjitalizimin e trashëgimisë dhe trajnime e edukim në fushën e restaurimit dhe konservimit. Gjithashtu, përfshin ekspozita në fushën e arkeologjisë dhe të muzeve; pjesëmarrje e Kosovës në Festivalin Mbarëkombëtar të Teatrit, që do të mbahet në Tiranë; projeksione të premierave të pesë filmave, bashkëprodhime të dy qendrave të filmit, bashkëpunime në fushën e librit, mes qendrave të fëmijëve, etj. AQSHF do të realizojë premierën e filmit pa zë “Balkan Wars”, shoqëruar me muzikë ‘live’ nga artisti kosovar Adorel Haxhiaj. Një ekspozitë e artistes Flaka Haliti do të sjellë në GKA veprat e saj bashkëkohore duke shënuar edhe ekspozitën e parë personale të saj në Shqipëri . Kultura është hapësira jonë e përbashkët, pa kufij dhe kultura dëshmon më së miri se nuk ka kufi tjetër mes Kosovës dhe Shqipërisë përveç atyre administrative.{:}