Ministria e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit

[metaslider id=6190]

Në javën “Në gjurmët e Italisë në Shqipëri” ditën e shtunë, më 13 dhjetor  u zhvillua ceremonia përuruese e ekspozitës “Tri plane per Tiranën”, e cila do të ndiqet sot me një tjetër ceremoni çeljeje të ekspozitave në kryeministri. Ceremonia u zhvillua me pjesëmarrjen e ministres Mirela Kumbaro dhe ambasadorit Massimo Gaiani.
“Arkitektura, si një element i rëndësishëm kulturor, por edhe njerëzor, ka shpirtin e vet. Çdo njeri ka tipin e vet dhe harmoninë e brendshme të tipareve të veta, të cilat, të gjitha së bashku, shkaktojnë një emocion. Të tillë emocion shkakton edhe harmonia e raporteve brenda një ndërtese, një kompleksi, një qendre, një qyteti. Dua të ndaj me ju konceptin e ri që kemi zhvilluar dhe duam ta zhvillojmë duke trajtuar arkitekturën jo thjesht si element konstruksioni, por si pasuri e trashëgimisë, kërkesë kjo që vjen nga arkitektët, nga bota e arkitekturës bashkëkohore dhe nga zhvillimi i trashëgimisë jo thjesht si një natyrë e qetë (naturamorta) por si pjesë e një peizazhi natyror dhe arkitektonik që zhvillohet, rritet, humb pjesë, i zëvendëson ato, bashkë me njerëzit që e jetojnë atë.”- u shpreh Kumbaro në fjalën e saj.
Java “Në gjurmët e Italisë në Shqipëri” është mbushur me ekspozita e konferenca të organizuara nga Ambasada Italiane, Instituti Italian i Kulturës, Ministria e Punëve të Jashtme dhe  Kooperimit Ndërkombëtar, në bashkëpunim me Këshillin e Ministrave të Shqipërisë, Ministrinë e Kulturës së Shqipërisë dhe Ministrinë e Zhvillimit Urban si dhe Shoqatën Anna Cenerini Bova. Në kuadër të kësaj ceremonie është prezantuar edhe një video e realizuar nga Roland Sejko “Simmetrie vol.IV”, që sillte të dhëna interesante mbi ndërtesat italiane dhe ndërtimin e Tiranës kryeqytet.
Të dhënat janë mbledhur në bashkëpunim me Institutin Luce, Arkivin Qendror Shtetëror të Filmit dhe Shoqatën Syri Blu – Anna Cenerini Bova. Ndërsa ekspozita ka hedhur dritë në vlerësimin dhe njohjen e aksit monumental të qytetit të Tiranës, pasi ky organizëm urban përbëhet nga ndërtesa institucionale dhe qeveritare me vlerër të madhe arkitektonike, të projektuar dhe realizuar nga vitet ’20 deri në vitet ’40 nga arkitektë, inxhinierë, punëtorë dhe ushtarak italianë në bashkëpunim të ngushtë me homologët shqiptarë.
“Arkitektura e fyer dhe e lënduar, iu rikthye qytetit pak muaj më parë,  iu rikthye me gjithë shkëlqimin e vet, me pastërtinë dhe estetikën e saj, që disa arkitektë italianë të pasionuar e krijuan dhe, shqiptarët, e jetuan dhe e pasuruan me shpirtin e tyre, siç e treguan në ditën e paharruar të vizitës historike të Papa Françeskut. Treguam me vullnetin tonë se nuk duam të bëjmë vetëm një makijazh, por një vlerësim të trashëgimisë sonë, një rikthim të hapësirës urbane të qytetarëve që e duan sheshin për t’u takuar, për t’u dashuruar dhe për të bërë art”-shtoi Ministrja e Kulturës, Mirela Kumbaro në fjalën e saj.{:}