Ministria e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit

[metaslider id=6446]

Qendra Kombëtare e Veprimtarive Foklorike dhe Ministria e Kulturës e Shqipërisë në datat 28 dhe 29 nëntor  organizuan tryezën me temë, “Edukimi i brezave përmes Trashëgimisë Kulturore Jomateriale”.

Mirela Kumbaro, Ministre e Kulturës e Shqipërisë ishte e pranishme në këtë aktivitet, gjithashtu edhe Drejtoresha e Qendrës Kombëtare të Veprimtarive Folklorike, Meri Kumbe, si dhe ekspertë të fushës së trashëgimisë kulturore.

Qëllimi i kësaj tryeze është organizimi i një takimi ndërinstitucional me të gjithë ato institucione që kanë si pjesë të objektivave të punës së tyre edhe Trashëgiminë Kulturore Jomateriale.

Ky takim u hap nga drejtoresha e QKVF- së Meri Kumbe, e cila ia dha fjalën ministres së Kulturës Mirela Kumbaro, e cila në fjalën e saj ajo vuri theksin tek humbja e publikut të së nesërmes nëpër muze galeri e parqe arkeologjike si edhe tek kohezioni social ose siç shpjegoi ministrja, lëvizja e popullsisë pas vitit  1990. “Institucionet e artit dhe trashëgimisë si TKOB, GKA, apo institucionet e trashëgimisë,  krahas programit artistik duhet të kenë edhe programe me rol edukativ për publikun e ri, sepse dashuritë e mëdha fillojnë herët e jo pas moshës 50 vjeçare. Edukimi përmes kulturës është një detyrë parësore e shtetit që këto institucione të kulturës të mos prodhojnë vetëm produkte të mirëfillta profesionale që i destinohen  publikut  të rritur dhe  publikut profesional, sepse përndryshe  do të mbetemi në një lloj autizmi audience. Institucionet e kulturës dhe trashëgimisë në mënyrë të ndërgjegjshme dhe të programuar duhet të kenë rolin e tyre edukativ”.

Kumbaro theksoi se deri më tani është krijuar një bankë të dhënash me bartësit dhe shoqatat që merren me trashëgiminë kulturore Ajo tha se tani, pasi janë vënë në dukje problemet, do caktohen prioritetet dhe se MK po përpiqet që për festivalin e Gjirokastrës të ketë një fond të veçantë për veshjet popullore.

Nikolai Bukov ,ekspert nga UNESCO solli përvojën e Bullgarisë kur tha se në vendin e tij janë ngritur forume për të ruajtur trashëgiminë jomateriale.  Janë qendra kulturore ku bëhen lexime për trashëgiminë dhe ku jepet informacion kulturor në çdo zonë e në çdo fshat me mbështetjen e pushtetit local. Tek ne ka rezultuar e suksesshme vërejti Vukov, i ardhur në Tiranë si këshilltar i kontraktuar prej UNESCO s për të parë politikat e praktikat dhe ruajtjes së trashëgimisë në Shqipëri.

Edhe prof. Dr. Miaser Dibra Instituti i Antropologjisë Kulturore dhe Studimeve të Artit kujtoi se vegla si lahuta janë tashmë si relikë anës oxhaku, ndërsa nuk praktikohen më as ninullat.

Ndërkaq Zana Shuteriqi Prela, shefe e departamentit KMD-së,  Universiteti i Arteve, u ndal te sistemi i edukimit dhe mungesat e tij duke shtuar se për kurrikulat institucioni i saj nuk është pyetur, çka përbën një të metë.

Melsi Labi drejtor i Muzeut Historik Kombëtar u fokusua te mbështetja që institucionet shtetërore duhet t u japin autorëve e botuesve që botojnë libra për trashëgiminë Nuk munguan në takim edhe mendimet e Antigoni Gjergjit specialiste e Trashëgimisë Jomateriale DRKK Durrës dhe gazetarit Ben Andoni që e ka parë nga afër qytet më qytet gjendjen e trashëgimisë dhe si ajo përçohet.

Sipas  temave të diskutimit në ditën e parë dhe të dytë u vërejt se Trashëgimia Kulturore Jomateriale ndeshet me një sërë problemesh ku ndër më kryesoret  janë: lënia në harresë e instrumenteve popullorë; tjetërsimi i muzikës popullore dhe kostumeve tradicionalë shqiptarë; zhdukja e zejeve të ndryshme; riteve dhe zakoneve; niveli  në rënie  i informimit të të rinjve lidhur me Trashëgiminë Kulturore Jomateriale etj.

Ministria e Kulturës e Shqipërisë synon nxitjen e bashkëpunimit midis institucioneve me spektër të përafërt në sektorin e Trashëgimisë Kulturore Jomateriale të tilla si: Ministria e Arsimit, Akademia e Shkencave, Instituti i Antropologjisë Kulturore dhe Studimeve të Artit, Universiteti i Arteve, Instituti i Zhvillimit të Arsimit, Qendra Kombëtare e Veprimtarive Folklorike, Qëndra e Kombëtare e Inventarizimit të Pasurive Kulturore, Drejtoritë Rajonale të Kulturës Kombëtare si edhe nxitjen e bashkëveprimit me median.

Bazuar në orientimet mbi vlerat kryesore dhe materialet të cilat duhet të jenë bazë për informimin e të rinjve dhënë nga stafi akademik dhe studiuesit e fushës, si edhe nga praktikat e mira të UNESCO-s, produktet e synuara të kësaj tryeze do të jenë:

 

– Hartimi i një raporti ku përmblidhen problematikat, evidentimet dhe zgjidhjet e sugjeruara.

– Krijimi i një materiali informues dhe orientues në ndihmë të Specialistëve të Trashëgimisë Kulturore Jomateriale të DRKK–ve.

– Nisja e krijimit të materialeve multimediale për të rinjtë.

– Inicimi i një rrjeti të përcjelljes së informacionit përmes edukimit joformal.

– Botim i kumtesave të tryezës.

 

Tryeza “Edukimi I brezave përmes Trashëgimisë Kulturore Jomateriale” zhvillohet në datat 28 dhe 29 nëntor 2014.{:}