Ministria e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit

Ministrja e Kulturës  Mirela Kumbaro inspektoi punimet për restaurimin e Urës së Katiut në Bënjë të Përmetit.

Ky objekt është një monument i çmuar për zonën dhe për trashëgiminë tonë kulturore.

“Urat janë një kantier i rëndësishëm që kemi këtë vit. Paralelisht kemi 4 kantiere të hapura në qarkun Gjirokastër, duke nisur me Urën e Kordhocës në Lazarat; Ura e Nivanit në Zagori, fillojmë së shpejti Urën e Golikut në Kolonjë dhe Urën e Katiut në Përmet. Është e rëndësishme të theksohet se këto nuk janë vetëm kantiere ndërtimi, por janë edhe një shkollë”, u shpreh Kumbaro duke iu referuar faktit se punimet po kryhen nga restauratorë të rinj nga vende të ndryshme të Ballkanit, nën drejtimin e mjeshtrave shqiptarë.

“Zona e mbrojtur e ujërave termale të Bënjës është pjesë e projektit të rikualifikimit që kemi ngritur me Bankën Botërore”, shtoi më tej ministrja Kumbaro.

Kampi Rajonal i Restaurimit po mbahet aktualisht në Gjirokastër, te shtëpia Çabej dhe në Përmet te Ura e Katiut. Në përbërje të tij janë 28 të rinj nga 6 vende të Ballkanit. Ura e Katiut është ndërtuar në mesin e viteve 1700. Ajo ruan edhe sot funksionin e saj, si dhe tërheq vëmendjen turistëve.{:}