Ministria e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit

#TiranaZeroSpace hapi dyert në Ekspozitën Ndërkombëtare të Arkitekturës, Venecia 2018, në prani të vizitorëve të shumtë që shprehën interes për pavijonin shqiptar, i cili prezantohet në Arsenale.

Pavijoni shqiptar komisionohet dhe mbikëqyret nga Ministria e Kulturës e Republikës së Shqipërisë dhe kurohet nga një ekip që ka si emërues të përbashkët qasjen e thellë kritike ndaj projektimit, një qasje kjo, që kërkon stimujt jo vetëm në botën vizuale, por gjithashtu inspirohet nga pëlhura sociale, njerëzimi, historia dhe kultura lokale si e tërë.

Ky është prezantimi i pestë i Shqipërisë në Ekspozitën Ndërkombëtare të Bienales, Venecia, në një vijueshmëri dhe përfaqësim nga Ministria e Kulturës që nga viti 2014, si një nga politikat e forta për të zhvilluar diplomacinë kulturore.

Ministrja e Kulturës, Mirela Kumbaro prezantoi projektin, duke u shprehur se ““Kam nderin dhe përgjegjësinë e madhe që për të pestin vit të prezantojmë së bashku me artistë të ndryshëm dhe arkitektë shqiptarë edicionin e pestë në Bienalen e Venecias, njëherë të artit dhe njëherë të arkitekturës, pikërisht këtu në Arsenale, ku tashmë Shqipëria ka ngritur vatrën e vet, e cila me sa duket do të jetë e gjatë”.

Në ceremoninë e hapjes merrnin pjesë  Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, Ambasadorja e Shqipërisë në Itali, Anila Bitri si dhe dashamirës të artit dhe arkitekturës.

“Hapësira zero’  përfaqëson Shqipërinë në Ekspoziën Ndërkombëtare të Arkitekturës, Venecia 2018, atje ku paraqitet një pjesë e mjedisit urban, historisë dhe traditës së Tiranës, përmes portave të vjetra të marra nga banesat e kryeqytetit,  si element për të shpjeguar hapësirën ku bashkëjetojnë e vjetra dhe modernia.

Ministrja e Kulturës, Mirela Kumbaro shtoi më tej në fjalën e saj  në ceremoninë e hapjes :

“Sfida jonë nuk është më si të ndërtojmë një projekt, por si të jemi më të mirë se viti pararendës. Të jesh më i mirë se vetvetja është një sfidë shumë e madhe. Jam shumë e nderuar që përfaqësohemi këtë vit me një ekip fantastik, një projekt që ka brenda historinë, të sotmen dhe të ardhmen dhe kjo ka vetem një emër: Tirana jone”.

Ministrja e Kulturës vizitoi edhe Pavijonin e Kosovës, ku u takua me kuratoren Eliza Hoxha dhe përfaqësues të Kosovës.

Ekspozita e 16-të Ndërkombëtare e Arkitekturës, “La Biennale di Venezia”,  u hap zyrtarisht më 25 maj 2018  dhe do të mbyllet më 26 nëntor 2018

 

Kurator: Elton Koritari

Autorë: Dorian Tytymçe – “VARKA Arkitekturë”

Florian Pollo – “VARKA Arkitekturë”

Jurtin Hajro – “commonsense.studio

Enri Leka – “Fablab Tirana”

Komisionere: – Mirela Kumbaro, Ministër i Kulturës, RSH

Kohëzgjatja: 26 maj-26 nëntor 2018

Salla : Arsenale di Venezia{:}