Ministria e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit

[metaslider id=6879]

Prizreni vazhdon të jetojë atmosferën e filmit, me festivalin ndërkombëtar DokuFest, që nisi në datën 16 gusht në kinema Lumbardhi. Ministrja e Kulturës, Mirela Kumbaro mori pjesë në ceremoninë e hapjes së festivalit të filmit DokuFest 2014 në Prizren, ku ishin të pranishëm, Presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga, Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit të Kosovës, Memli Krasniqi, artistë dhe pjesëmarrës të ftuar në këtë ceremoni.

Në intervistën për  televizionin KTV të Kosovës, ajo u shpreh se “Ndrysho, Mos u Mshef” – sllogani i sivjetëm i DokuFest është i guximshëm, jo vetëm një moto artistike, por një moto emancipuese që i flet shumë shoqërisë shqiptare. Besoj tek forca e kulturës, tek hapësira pa kufi e artistëve, ku ne të gjithë flasim me të njëjtin zë. Jam këtu jo vetëm si artdashëse e këtij festivali, por edhe si ministre e kulturës,  si përfaqësuese e qeverisë për të treguar se bëmë realitet premtimin e një viti më parë të qeverisë shqiptare për ta mbështetur institucionalisht këtë festival të rëndësishëm, jo vetëm për Kosovën, Shqipërinë, por mbarë rajonin”.

Dëshira e pandalshme e njerëzve për ndryshime dhe jetë më të mirë në 2014-ën ka nxitur miliona njerëz që të dalin në rrugë duke kërkuar që këto ndryshime të ndodhin.  Përgjatë këtij viti të trazuar kemi qenë dëshmitarë të revoltave popullore që çuan në revolucione dhe revolucioneve që çuan në luftëra. Veton Nurkollari u shpreh se “Nuk ishte shumë e vështirë kur u nisëm që të vendosnim për temën e sivjetme të festivalit dhe të strukturojmë programin përreth saj. Ideja e ndryshimit dhe e aktivizmit ishte aq e fortë dhe aq e pranishme dhe ne jemi të lumtur të prezantojmë në faqet në vijim një përzgjedhje të filmave që besojmë se e reflektojnë këtë”.  Moto e sivjetme e festivalit: “Ndrysho, mos u mshef” tregoi edhe njëherë guximin artistik, por edhe sensibilizimin e organizatorëve për të emancipuar shoqërinë shqiptare. Ndryshimi është në ajër. Dokumentari i vëllezërve Riahi, “Everyday Rebellion” që hapi edicionin e 13-të të DokuFest-it në kinemanë e hapur Lumbardhi nuk është vetëm një film. Është një mjet i mësimit për ndryshim, dhe na mëson një mësim të vlefshëm: ndryshimi varet nga unë dhe ti, dhe nuk ka asgjë më të fuqishmë se ne.

DokuFest mbahet në qytetin e Prizrenit në datat 16-24 gusht 2014.

Programin e plotë e gjeni këtu.

Foto: Blerta Kambo{:}