Ministria e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit

Në partneritet me Departamentin e Etnologjisë në Shqipëri, do të mbahet një punëtori nga Laboratori i Antropologjisë Vizuale që do të përfshijë pjesëmarrës nga fusha si antropologjia, filozofia, sociologjia dhe kinematografia, sipas boshteve tematike në vijim: kohorja dhe pamorja, kufiri dhe koha, regjimet kohore në konfigurimet kozmologjike, tingujt, hapësira dhe koha, vetja, tjetri dhe koha. Mbështetur në empiri, teori dhe kritikë, synimi themelor i kësaj punëtorie është të shestojë në mënyrë analitike përdorimin e instrumenteve teknologjikë dhe intelektualë në vizualizimin e kohës. Qëmtimi etnografik i kohës subjektive dhe objektive, i portave apo urave kohore si ndërlidhëse kulturash, i kohëzimit mikro-e-makroskopik në rrafsh diakronik dhe sinkronik përmes nocionit të imazhit dhe proceseve vizualizuese, do të jenë pjesë e këtij programi, përderisa praktika do të zhvillohet në zonën ndërkufitare Shqipëri-Kosovë. Konceptimi dhe analiza e regjimit kohor të kulturës dhe e kohësisë së tjetrit, si dhe prodhimi i regjimeve kohore në marrëdhëniet e pushtetit ngelet, për antropologjinë, një sfidë e madhe teorike dhe etike. Shqyrtimi kritik i antropologjisë, i brendshëm dhe i jashtëm, kumti i saj fton për tejkalimin e kurtheve të raportit dije-pushtet, brenda dhe jashtë sferës akademike.

3-9 gusht 2017, DokuFest, Prizren{:}