Ministria e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit

Përshëndetje të gjithëve dhe faleminderit për praninë tuaj.

Sot është një ditë shumë e rëndësishme sepse në kohë rekord po lançojmë Durana Tech Park, i cili do të ndërtohet në zonën e Xhafzotajt, duke përmbledhur më të mirën e Tiranës dhe Durrësit. Ne nuk po premtojmë, ne po bëjmë!

Parku teknologjik Durana do të ofrojë një kombinim unik mes zhvillimit ekonomik, inovacionit dhe kërkimit shkencor, duke u shndërruar shume shpejt një ekosistem të jashtëzakonshëm që do të bëjë bashkë ndërmarrjet e konsoliduara shqiptare e të huaja, start-upet inovative, institucionet akademike, qëndrat e kërkimit shkencor, nomadët digjitalë, freelancers, etj.

Qëllimi është që zona Tiranë-Durrës, e cila në fakt është motorri ekonomik i Shqipërisë, të shndërrohet në një pol të rëndësishëm rajonal edhe për krijimin e teknologjive të reja dhe zgjidhjeve inovative për biznesin, shtetin dhe shoqërinë.

Përfitimet e ekonomisë shqiptare nga implementimi i projektit Durana do të jenë të shumëanshme, por po veçojmë vetëm disa:

  • Së pari, tërheqja e investimeve të huaja, falë infrastrukturës që ky park do të ofrojë, avantazheve krahasuese të Shqipërisë dhe incentivave fiskale;
  • Së dyti, është vlera e shtuar, një nga problemet e kahershme të ekonomisë tonë, e cila gjithnjë ka prodhuar pak vlerë të shtuar. Një projekt i tillë do ndihmojë ndjeshëm bilancin tregtar shqiptar;
  • Së treti, transferimi i njohurive dhe dijeve në fuqinë puntore lokale, duke ndihmuar kështu në modernizimin e ekonomisë shqiptare në tërësi.
  • Së katërti, përmes programeve të akselerimit dhe inkubimit, Durana do të ndihmojë shumë startupe të shndërrohen në biznese të mirëfillta e gjithashtu do ndihmojë edhe Universitetet apo institucionet arsimore që të modernizojnë mësimdhënien e tyre.

Së bashku me TEDA Tirana, Prush, e cila shumë shpejt do të mirëpresë investitorët e parë, Durana vjen si zona tjetër e re speciale ekonomike me synim tërheqjen e investitorëve.

Ne jemi më të angazhuar se kurrë për modernizimin e ekonomisë shqiptare dhe parqe të tilla mund të shërbejnë si shkëndija që nxisin në mënyrë të jashtëzakonshme zhvillimin

Sa për ilustrim, të mos harrojmë që Singapori që sot është një ndër ekonomitë më të zhvilluara në botë, e nisi nga një zonë e tillë ekonomike e cila do të prodhonte thjesht instrumenta muzikore. Kaq u desh dhe suksesi i tyre është thjesht histori.