Ministria e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit

Shpesh herë objekti dhe landscape-i paraqiten dhe mendohen si kundërti. Tradicionalisht kjo kundërti e ka dominuar diskursin arkitektonik: objekti perceptohet si godinë dhe si monopol i arkitektit, ndërsa landscape-i perceptohet si ajo qe është “jashtë” godinës, ajo që “mbetet….” Mund të argumentohet se kjo kundërti ka një gjenezë të lashtë kulturore dhe filozofike që buron nga ajo e të plotës dhe boshit, e të brendshmes dhe të jashtmes, e të planifikueshmes dhe te paparishikueshmes…, por nga ana tjeter, kjo kundërti, është aq e integruar me të gjitha institucionet kulturale, sociale, politike dhe juridike, saqë merret si e qenë dhe natyrale. E megjithatë kjo kundërti nuk është fort “e sigurtë….” Nga njëra anë, një landscape nuk mund të përfytyrohet i pa diferencuar në objekte, ose nëpërmjet objektesh. Përshembull, landscape-i gjeografik i qytetit të Tiranës nuk mund të imagjinohet pa “objektin”e tij thelbësor– Malin e Dajtit – që si një skulpturë gjeologjike i jep identitetin topografisë së Kryeqytetit; landscape-i Kepit të Rodonit nuk mund të mendohet pa objektin e Kalasë dhe kishës mesjetare. Nga ana tjeter, objekti nuk është asnjëherë i pavarur në “unin” e vet. Objekti rrënohet, dhe i humbet konturet me kalimin e kohës, duke iu nënshtruar proceseve të ndryshme entropike. Objekti është i destinuar të shndërrohet në landscape. Landscape-i është limiti i objektit….

Zhvillimet e fundit dixhitale në të gjitha nivelet e jetës bashkëkohore e kanë rrënuar ose vështirësuar kundërtinë e pastër midis objektit dhe landscape-it. Kjo kundërti është shndërruar në një ndërlidhje dinamike ku e vetmja normë është mungesa e saj, duke i lënë vendin transformimit dhe variacionit. Siç thotë Bernard Cache, sot, “imazhi kryesor nuk është ai i objektit por ai i parametrave të tij, në ndërprerjen ose ndërthurjen e të cilave objekti prodhohet. Ky objekt nuk riprodhon një imitacion, por aktualizon një simulim. ”Përshembull një produkt si I-Phone nuk përfaqëson një objekt “origjinal” e “të pavarur” por një ndërprerje dhe ndërthurje grafikësh dhe tendencash konsumi, të cilat nuk janë asgjë tjetër vecse landscape-e virtuale informacioni.

Ky leksion fokusohet pikërisht në marrëdhënien e objektit dhe landscape-it nëpërmjet disa projekteve arkitektonike të zhvilluara në kontekste akademike dhe profesionale, në Shqipëri dhe jashtë saj. Premisi i këtij leksioni është që landscape-i është një universale: I gjithë mjedisi që na rrethon është një landscape, ose i përbërë nga një mori landscape-sh. Ky leksion sugjeron që kjo mënyrë të pari ose të menduari mbi landscape-in, ka një përmasë sa estetike aq dhe etike, dhe është thelbësor në zhvillimin e territorit dhe mjedisit shqiptar. Landscape-i shqiptar ka shumë përmasa që tentojnë të ndërthuren me njëra tjetrën: Këto janë zhvillimet e reja urbane dhe ato ekzistuese, peizazhet natyrore dhe ato historike, infrastrukturat e reja dhe monumentet. Ky leksion tenton të ofrojë një qasje mbi marrëdhenien komplekse të landscape-it dhe mjedisit.

Skënder Luarasi{:}