Ministria e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit

Galeria Kombëtare e Arteve hap në sallën e vogël të ekspozitave të përkohshme, ekspozitën “Satirë në Sheshin Skënderbej”  të piktorit Lekë Tasi.

Ekspozita e kuruar nga Suzana Varvarica Kuka prezanton rreth 45 punime të realizuara pas viteve 2000, në teknikat vaj, teknikë e përzier dhe vizatime.

Lekë Tasi vlerësohet si një piktor tradicional me kah drejt artit modern. Kjo është një arsye më shumë që punimet e tij, të prezantohen e të njihen më gjërësisht nga mjedisi artistik dhe intelektual shqiptar.  Në këtë mjedis Lek Tasi shquhet si një zë i ndryshëm e modern në botën e pikturës tradicionale shqiptare dhe për këtë ai duhet të zërë vendin që i takon në historinë e artit shqiptar.

Deri në vitin 1975 piktori ekspozoi vetëm disa punë, edhe pse kishte një krijimtari shumë të pasur. Pas viteve 1990, tashmë si profesionist ai i`u drejtua jo vetem ekspresionizmit, por disa zhvillimeve të artit modern të shekullit XX. Ai pa me vemendje, me seriozitet dhe imtësi prurjet surreale, naiviste dhe të abstraguara.

Piktori dhe miku i tij Llambi Blido shkruan: “Muzikant dhe bir i një familjeje të persekutuar, Lekë Tasi e pati nisur rrugën e pikturës si nxënës i Nexhmedin Zajmit. Realizmi i thjeshtë i akuareleve të tij të viteve `50 ushqehej nga dashuria e përjetshme  e këtij përmetari  për Tiranën ku u rrit. Në çdo tablo  të këtij autori, në etapën aktuale të pjekurisë  së plotë, siç na vjen në këtë ekspozitë  të vitit 2015 në GKA, çdo befasi, është në fakt  befasi e fabulës. Atë ai e zhvillon me imagjinatën e tij dhe e realizon në  lirshmëri falë  aftësive  kreative-improvizuese të admirueshme në çdo kënd të tablosë.”

Krijimtaria e Lekë Tasit është vlerësuar pozitivisht nga Galeria Kombëtare e Arteve dhe ai është bërë pjesëmarrës në dy edicione të Ekspozitës Ndërkombëtare “Onufri”, në vitet 2001 dhe 2004. Po kështu rëndësia dhe modernia në veprat e tij ka nxitur kuratorë të Galerisë Kombëtare të Arteve të organizojnë në mjediset e saj, ekspozitat e tij vetjake, në vitet 1992, 2003 dhe 2007.

Ekspozita do të shoqërohet me katalog ku përfshihen rreth 60 vepra në teknikat vaj, të përzier, vizatim, grafikë, akuarele dhe kolazh.

GKA, 18 QERSHOR – 8 KORRIK 2015{:}