Ministria e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit

Roshniku është pjesë e Programit Kombëtar 100 Fshatrat për profilin e tij dhe potencialet e zhvillimit në bujqësi, agropërpunim, agroturizëm, turizëm natyror e kulturor.

Kanë nisur mbështetjet e para për fermerët e palodhur të Roshnikut, fshati piktoresk i njohur prej disa brezash për fikun e famshëm të tij, ullirin e rrushin.

Në fjalën e saj Ministrja e Kulturës Margariti tha se kishte pasur rastin të vijë në Roshnik para se të niste investimi. “Kemi bërë vizitë bashkë me grupin e akademisë të cilët kanë qenë të mirëpritur ku bujtina ende nuk kishte filluar punën”, tha ajo.

Në Roshnik vihet re fryma e bashkëpunimit e komunitetit. “Familja ka qenë magnet për fshatin dhe më vjen mirë që familja ka dëshirën e mirë për të bashkëpunuar sepse programi për 100 fshatrat është vërtet një bashkim jo vetëm nevojash por dhe forcash për të ecur përpara”, u shpreh Margariti.

Ministrja vlerësoi vlerat arkitekturore të Roshnikut dhe theksoi se ka gati projektin për rivitalizimin.

“Fshati ka ruajtur një pjesë të mirë të trashëgimisë në aspektin e arkitekturës. Kemi një pjesë shumë të bukur edhe një qendër me kalldrëmet që kanë nevojë të risistemohen. Banesa fantastike atje sipër, sapo kemi miratuar projektin e restaurimit. Jemi gati t’i japim atë pjesë së historisë së munguar, sepse Roshniku, nuk është pjesë vetëm e zhvillimit rural por dhe mbart një vlerë të qytetërimit të lashtë dhe këto janë pjesë e memories dhe nuk duhen harruar”, tha Margariti.

Në fshatin Roshnik ndodhet dhe monumenti i kulturës “Banesa në Roshnik”, shpallur monument kulture i Kategorisë së Parë.

Banesa e Roshnikut është një monument i rrallë që tregon mjaft qartë potencialin ekonomik të porositësit të objektit.

Është hartuar projekti i restaurimit të kesaj banese me vlera të rralla për të rijetësuar fshatin, duke i rikthyer shkëlqimin e harruar.{:}